E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur kinemaja hyn në zemër të burgut

Filmi “Lindje, Perëndim, Lindje” i regjisorit Gjergj Xhuvani gjatë ditëve të BA Film Festival në Itali (në këtë festival u vlerësua si filmi më i mirë) ishte përzgjedhur të kishte një projeksion të veçantë me të burgosur. Për shkak të përkimit të temave, mungesës së lirisë, filmi është përcjellë me diskutime të shumta

Më 2 janar të vitit 1968 Johnny Cash mbajti një koncert përpara një plateje me të burgosur entuziastë e të mallëngjyer. Koncerti u kthye në një legjendë brenda mureve të burgut të Folsomit. Kantautori amerikan, që kishte vuajtur edhe vetë dënimin në atë burg vite më parë, kuptoi se një ngjarje e tillë do të kishte pasur një impakt të paharrueshëm në jetët e atyre që për pak ose përgjithnjë e kishin humbur lirinë. BA Film Festival e ka marrë këtë ide të jashtëzakonshme dhe i ka dhënë jetë duke e kthyer në një veprimtari që ka zënë vend në majat e këtij manifestimi të përvitshëm kinematografik, i cili zhvillohet në Itali. Një grup të burgosurish të Casa Circondariale të Busto Arsizio ka marrë pjesë në projektimin e filmit në konkurrim “Lindje, Perëndim, Lindje” të regjisorit shqiptar Gjergj Xhuvani në kuadër të një projekti të koordinuar nga ICP me në krye Eugenia Bolis dhe të realizuar falë mikpritjes së drejtorit të burgut Salvatore Nastasia dhe përgjegjëses së zonës së trajtimit pedagogjik Rita Gaeta. Dhe nuk është e mundur të qëndrosh indiferentë përballë gjithë asaj që ndodhi në atë burg: rreth 50 të burgosur që të rrëmbyer shikojnë një film, qeshin, dridhen, bëjnë tifo dhe në fund zbërthehen në një duartrokitje thuajse çliruese për regjisorin, i cili së bashku me producentin Paolo Tagliabue u pritën me ovacione. Sepse filmi flet për një temë, e cila ka goditur të gjithë të pranishmit në sallë, duke filluar nga të rinjtë e deri te përgjegjësit e burgut: kthimi në shtëpi, nevoja e kthimit në tokën e tyre, ashtu sikundër ka vënë në dukje një nga spektatorët e shumtë. “Protagonistët, katër çiklistë të kombëtares shqiptare, u gjendën në Trieste pikërisht gjatë revoltave të vitit 1990. Ata nisen me para, biçikleta, objekte të ndryshme dhe kthehen me duart bosh, por pa e humbur vlerën që ka toka e tyre, shtëpia e tyre”, tha ai. Një djalë tjetër pyet: “Përse keni zgjedhur të tregoni për të huaj që sapo shkojnë jashtë, duan me çdo kusht të kthehen në shtëpi, në vend që të flisni për njerëz që luftojnë për të qëndruar në tokë të huaj?”. E menjëhershme përgjigjja e Xhuvanit: “Në këtë film flasim për njerëz të thjeshtë; ëndrra e tyre është toka e premtuar, por me t’u gjendur në Perëndim kuptojnë se “eldoradoja” e tyre është kalimtare dhe naive. Me të rënë kjo ëndërr, kuptojnë se vetëm në shtëpi mund ta gjejnë qetësinë”.
Emocioni është i fortë, mbi të gjitha në të kuptuarin e intuitës dhe të transportit të njerëzve që shpesh etiketohen si jashtë shoqërisë. “Pikërisht për këtë arsye ne e pranuam me entuziazëm propozimin e Gabriele Tosit dhe të BAFF. Këta persona me të dalë prej burgut do të duhet të përballen me shoqërinë dhe ngjarje si këto i japin mundësinë atyre të ndihen ende pjesë e saj, pjesë e shoqërisë ku do të duhet të kthehen sërish”, thotë Gaeta. “Burgu nuk është një varrezë. Nuk është ashtu siç e përshkruajnë: ka qenie njerëzore që kanë një jetë tjetër për të jetuar sapo të rifitojnë lirinë”. është pikërisht liria që përshkon sytë e djemve që marrin pjesë në projektimin e filmit, është tingulli i të qeshurit për njerëz që shumë pak janë mësuar të zbaviten e madje edhe reflektimet e njerëzve që gjatë ditës së tyre nuk mund të bëjnë gjë tjetër, veçse të mendojnë. Na pëlqen të mendojmë që falë BAFF janë zbavitur. Ndoshta po, sepse në të kundërt, mes komplimenteve prekëse të të burgosurve të Celeste Colombo nuk do të kishte ardhur përgjigjja: “Atëherë na lini të lirë!”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›