E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH: TEC-i i Vlorës do vihet në punë për 3 muaj



Pavarësisht se Banka Botërore dhe Enti Rregullator i Energjisë kanë shprehur qëndrimin se Termocentrali i Vlorës është një investim jo i nevojshëm, për shkak të kostove të larta të prodhimit të energjisë, drejtori i KESH-it Muharrem Stojku, është përpjekur ta mbrojë këtë projekt. Sipas tij, TEC-i do të vihet në provë gjatë këtij muaji, për t’i paraprirë sezonit veror. “TEC-i do të vihet në punë vetëm për 3 muajt e thatësirës dhe energjia që do të prodhohet do të ketë një kosto prej 13 lekë për kilovat/orë”,- deklaroi kreu i KESH-it, Muharrem Stojku. Edhe pse kreu i ERE-s, Nepravishta e konsideroi të padobishëm TEC-in e Vlorës për shkak të kostos së lartë prodhimit të energjisë, KESH-i vendos ta verë në punë këtë burim. Kreu i KESH-it, Stojku, bën të ditur se pritet rritje e eksportit të energjisë gjatë ditëve të ardhshme mbi nivelin e 14.5 milionë kilovat/orëve. Kjo pasi Fierza ndodhet afër kuotës maksimale dhe nëpërmjet rritjes së eksportit do të shmangen shkarkimet. Vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti, KESH ka siguruar nga shitja e energjisë 40 milionë euro dhe 17 milionë euro të tjerë pritet të grumbullohen nga eksporti i këtij muaji. 70 % e këtyre fondeve po përdoren për shlyerjen e borxheve.

Ekspertët: Amnistia rrezikon të legalizojë paratë e krimit

Aplikimi i një amnistie fiskale mbart me vete edhe rrezikun e formalizimit të ekonomisë kriminale. Edhe pse një nisëm e tillë po diskutohet në parim, ekspertë të financave i druhen faktit se, nuk ka një ndarje të qartë mes dikujt që ka punuar në informalitet dhe atij që ka kryer aktivitet të paligjshëm. Nga ana tjetër, në kushtet kur ekonomia gri në Shqipëri mbetet në nivele të larta, Milva Ekonomi, është e idesë se pa forcuar administratën tatimore, aplikimi i amnistisë nuk mund të jetë efikas. “Paratë informale në Shqipëri nuk vijnë vetëm nga evazioni fiskal, por edhe nga sektorë të tjerë të paligjshëm. Deri tani nuk një specifikim se cila nga këto fusha do të bëhen pjesë e amnistisë”, - shprehet Ekonomi. Sipas saj nuk duket të ketë një besim mes biznesit dhe shtetit për nismën e amnistisë, e nëse një besim të i tillë nuk ekziston atëherë vihen në pikëpyetje përfitimet nga ky projekt. Por deputeti i maxhorancës, Sherefedin Shehu, sqaron se është në të drejtë të taksapaguesit që të deklarojë të ardhurat dhe të justifikojë burimin e tyre. Ndaj sipas tij, amnistia është një projekt, zbatimi i të cilit duhet përshpejtuar. “Ne nuk mund të bëjmë legalizim të parave kriminale, janë institucione të tjera që parandalojnë futjen e tyre në sistem”,- shprehet Shehu. Sipas ekspertëve ky ligj lë shteg për të formalizuar para të realizuara në mënyrë të paligjshme.

Kompania turke: Tuneli i Thirës do të hapet në korrik

Autostrada Rrëshen-Kalimash pritet të përfundojë së ndërtuari në korrik të këtij viti, afro 13 muaj pas afatit të rënë dakord në kontratë. Lajmi bëhet i ditur nga një njoftim i kompanisë turke “Enka”, e cila është në konsorcium me kompaninë amerikane “Bektel” për ndërtimin e autostradës shqiptare. “Të gjitha punimet, me përjashtim të njërit prej tubave të tunelit u përfunduan në qershor 2009. Tubi i mbetur pritet të përfundohet në korrik 2010”,- thotë Enka. Ministri i Transportit, Sokol Olldashi, deklaroi pak ditë më parë se rruga do të hapet për qarkullimin e makinave në maj të këtij viti, me qëllim që të lehtësohet mbërritja e shtetasve të Kosovës për sezonin turistik në Shqipëri. Autostrada u inaugurua si e përfunduar më 25 qershorin e kaluar, tri ditë para zgjedhjeve parlamentare. Njëri prej tuneleve (tuneli verior) u hap me sens të alternuar për disa muaj dhe vetëm gjatë ditës. Një segment prej disa qindra metrash në tunelin verior nuk kishte përfunduar ende së betonuari. Në tetor 2009, Ministria e Transporteve njoftoi se rruga do të mbyllej për qarkullim për shkak të rritjes së pasigurisë së qarkullimit në tunel. Ndërkohë, në nëntor, në tunelin jugor ndodhi një shembje me përmasa të mëdha. Për disa muaj, afati i përfundimit të punimeve nuk u publikua. Gjatë kohës kur autostrada ishte e hapur, qarkulluan deri në 12 mijë makina në ditë sipas shifrave zyrtare.

6 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›