E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi Europian vendos rregulla të reja për marrjen e vizave “Shengen”



Dje ka hyrë në fuqi Kodi i ri i Bashkimit Europian për mënyrën e pajisjes së shtetasve të ndryshëm me vizë “Shengen”. Në bazë të rregullave të reja, procedura e marrjes së vizave do të njësohet në të 25 vendet e Shengenit. Kush ka një vizë për hapësirën “Shengen” mund të udhëtojë në 25 vende europiane pa iu nënshtruar kontrolleve në kufij. Kërkesa për një vizë të tillë paraqitet në konsullatën e një prej vendeve të hapësirës “Shengen”. Kodi i ri parashikon që brenda 15 ditësh kalendarike, konsullata e një vendi “Shengen” duhet t’i japë një datë aplikantit, në të cilën ai mund të paraqesë formularin e aplikimit për vizë. Më pas, brenda dy javësh, duhet të merret vendimi për dhënien ose jo të vizës. Kodi parashikon në parim të mbetet e pandryshuar pagesa prej 60 eurosh për vizë, por do të ketë disa përjashtime. Do të ketë ulje të pagesës për fëmijët 6 deri 12 vjeç, që mund të arrijë në 35 euro, si dhe janë parashikuar përjashtime për grupe të caktuara aplikantësh.
Komisionerja
Komisionerja e Bashkimit Europian për Drejtësinë, Sesilia Malmstrom, deklaron se synimi i Kodit të ri të BE-së është që të njëjtat procedura të aplikohen në të gjitha vendet “Shengen”. “Synimi i Kodit të ri të Bashkimit Europian për vizat është të koordinojë procedurën në të gjitha vendet ‘Shengen’ dhe kështu ta bëjë atë më të lehtë për miliona veta që aplikojnë për një vizë ‘Shengen’”, - është shprehur Malmstrom. Këto masa synojnë thjeshtimin e procedurave dhe afate më të shkurtra për marrjen e vendimit, si dhe u japin të drejtën qytetarëve që u refuzohen vizat që të ankohen në rrugë ligjore. Në rregullat e reja parashikohet dhe refuzimi i vizës, i cili duhet të argumentohet dhe mund të ndiqet rruga juridike nga qytetarët. Duke filluar nga prilli 2011 do të jetë e mundur të ndiqet rruga juridike në të gjitha vendet “Shengen” nëse viza refuzohet.
Formulari
Sipas Jan de Ceuster, drejtuesi i departamentit përgjegjës në Komisionin e BE-së, formulari që duhet të plotësojnë aplikantët për vizë “Shengen” do të jetë më i shkurtër dhe më i lehtë për t’u plotësuar. Jan de Ceuster gjithashtu shpreh kritikat e tij për rregullat e vjetra të pajisjes së shtetasve të ndryshëm me vizë “Shengen”. “Mendoj se duhet të pranojmë që procesi i vizave në të kaluarën nuk ka qenë gjithnjë i orientuar ndaj nevojave të klientëve. Nganjëherë duhet të presin shumë gjatë, edhe dy muaj, përpara se të kenë mundësinë të paraqesin kërkesën për vizë. Kjo tani do të ndryshojë. Refuzimi i vizës duhet të argumentohet dhe mund të ndiqet rruga juridike. Brenda 15 ditësh kalendarike, konsullata e një vendi ‘Shengen’ duhet t’i japë një datë aplikantit, në të cilën ai mund të paraqesë formularin e aplikimit për vizë. Pastaj, brenda dy javësh, duhet të merret vendimi për dhënien ose jo të vizës. Nëse kandidatit për vizë i refuzohet vendimi, duhet argumentuar. Më parë nuk ka qenë kështu”, - shpjegon Jan de Ceuster nga Komisioni i BE-së. “Nganjëherë nuk jepej asnjë argumentim për refuzimin e një vize dhe nuk kishte asnjë mundësi të protestoje për refuzimin e kërkesës. Kjo shkaktonte shumë frustrim dhe ka kontribuuar për krijimin e imazhin famëkeq të fortesës Europë”, -është shprehur përfaqësuesi i BE-së. Ndërsa për komisioneren e BE-së për drejtësinë, Malmstrom, Kodi i ri i BE-së për vizat është një hap i rëndësishëm përpara. “Do të kemi një sistem më të drejtë, më transparent dhe më të lehtë për individin, dhe me këtë do të kemi edhe një sistem vizash plotësisht të harmonizuar në BE”, - është shprehur Malmstrom. Kjo nuk vlen megjithatë për vendet e BE-së që nuk janë anëtare të marrëveshjes “Shengen”.

6 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›