Presidenti dekoron katër klerikët e besimeve fetare në Shqipëri
Në një ceremoni zyrtare të zhvilluar dje në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi katër udhëheqësit më të lartë shpirtërorë të bashkësive fetare shqiptare me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Dekoratat me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” iu dhanë përkatësisht kryetarit të Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, Haxhi Selim Muçës, kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së tij, Anastas Janullatos, arqipeshkvit metropolit të Tiranës e Durrësit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirditës dhe kryegjyshit botëror të bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhit, me motivacionin: “Për kontributin dhe veprimtarinë e vyer në ringjalljen e besimit shpirtëror dhe shpresës për një të ardhme më të mirë, për ringritjen e institucioneve të kultit si dhe për forcimin e pasurimin e mëtejshëm të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare të popullit shqiptar”.
Para dorëzimit të Urdhrit të lartë, presidenti Topi iu drejtua me një fjalë përshëndetëse të dekoruarve dhe të pranishme në këtë ceremoni, ku ka vlerësuar bashkëjetesën dhe tolerancën fetare në Shqipëri. “Harmonia nuk është një dhuratë që dikush ia ka bërë këtij vendi dhe ajo nuk rri gjithmonë në gjendje statike. Ajo plazmon ngrehinën shpirtërore të ndërtuar me kontributin e shqiptarëve ndër shekuj! Harmonia shfaqet qartë edhe në Kodin zakonor të shqiptarëve, një kod ky i përvijuar rreth traditës së besës dhe mikpritjes me kumtin ‘shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut’, ka përcaktuar herët raportin e shqiptarit me Perëndinë! Shtëpinë e tij e sheh si të Zotit dhe marrëdhënien me tjetrin si marrëdhënie besimi të nënkuptuar, duke përjashtuar paragjykimin në sjelljen e tij. Harmonia fetare është vetë jeta jonë, cenimi i saj është i patolerueshëm dhe jam i bindur që trashëgimia historike dhe vetëdija identitare e kombit në një simbiozë të pandashme nuk do të lejojnë që asnjëherë ajo të vihet në diskutim”, - është shprehur presidenti Topi, i cili ka vënë theksin edhe tek identiteti i shqiptarëve si komb. Duke iu referuar edhe një thënieje të At Zef Pëllumbit, kreu i shtetit bëri thirrje që shërbesat fetare të mbahen në gjuhën shqipe. “Besimet në Shqipëri gjejnë mikpritje në gjirin e shtetit demokratik, pa bërë asnjë dallim mes tyre, e ato, siç është në traditën e themeluar prej vetë atyre, do të vazhdojnë ta respektojnë shtetin. Një nga simbolet më sipërore të besimit, të qëndresës, të shkrimit dhe të dëshmisë, At Zef Pllumi, na la porosinë që besimi, sa të jetë e mundur, të transmetohet në gjuhën amtare, se kështu fjala e Zotit prek më lehtë mendjet dhe zemrat e njerëzve, i bën fuqishëm për vete, i njeh ata si të tijtë”, - është shprehur Topi. Presidenti ka kërkuar izolimin e zërave ekstremistë si dhe ka kërkuar transparencën e financave të bashkësive fetare. “Bashkësitë fetare në vend, ashtu siç kanë bërë deri tani, jam i sigurt që edhe në të ardhmen, nën frymën e traditës dhe të kujdesit për një shoqëri të lirë e demokratike, do t’i izolojnë zërat ekstremistë dhe fondamentalistë në gjirin e tyre, sepse siç e dimë shfaqja e tyre pikësëpari nuk tolerohet nga vetë besimtarët. Në një shoqëri të hapur dhe demokratike, transparenca është marrëdhënie e domosdoshme ndërmjet bashkësive dhe shtetit, në të gjitha aspektet, përfshi edhe aspektin financiar apo të ndihmës së huaj për to, apo detyrime të këtij lloji, që shteti ka ndaj tyre”, - është shprehur kreu i shtetit. Por Presidenti i Republikës nuk ka lënë pa prekur dhe temën e nxehtë të politikës, ku ka kërkuar që feja të mos përdoret kurrsesi për qëllime politike. “Përdorimi i fesë për qëllime politike është i papranueshëm, futja e argumentit fetar si prapavijë politike është rrezik për harmoninë dhe laicitetin e shtetit. Kur kjo tendencë shfaqet, duhet të reagojmë me forcë e të bashkuar për ta izoluar fenomenin që në nisje”, - është shprehur presidenti Topi.
Presidenti niset për një vizitë zyrtare në Gjermani
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, u nis dje për një vizitë zyrtare dyditore në Republikën Federale të Gjermanisë, me ftesë të presidentit gjerman, Horst Këler. Gjatë qëndrimit dyditor në Gjermani, presidenti Topi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, zëvendësministri i Kulturës, Nikollë Lesi, deputeti Gazmend Oketa, anëtarë të kabinetit të Presidentit etj., do të zhvillojë takime me Presidentin e Gjermanisë, Horst Këler dhe me përfaqësues të tjerë të lartë të shtetit federal. Temë qendrore e bisedimeve mes dy presidentëve do të jetë thellimi dhe forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë, në kuadër dhe të zhvillimit e të integrimit të Shqipërisë dhe të rajonit ballkanik në strukturat europiane.
Gjithashtu, kreu i shtetit shqiptar do të marrë pjesë në Forumin ekonomik që do të zhvillohet në Berlin me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bizneseve të të dyja vendeve, gjatë të cilit presidenti Topi do të mbajë një fjalë përshëndetëse, kryesisht lidhur me zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
6 Prill 2010