Topalli takon kryeministrin e Estonisë, vlerësohet roli i diplomacisë parlamentare
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në një takim kryeministrin e Estonisë, Adrus Ansip. Në këtë takim kryeministri estonez theksoi se Estonia sheh të Shqipëria një partnere serioze në NATO. “Estonia sheh te Shqipëria një partnere serioze në NATO. Duke punuar bashkë do të jemi edhe më të suksesshëm”, - tha kryeministri Ansip, duke theksuar se bindjen e tij se Shqipëria do të vijojë zhvillimin në mënyrë të shpejtë, ashtu siç është zhvilluar shumë shpejt në këto kohë. Për kryetaren e Kuvendit, vizita e kryeministrit Ansip është një hap domethënës në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mbështetja e vazhdueshme që Estonia i ka dhënë Shqipërisë në proceset e saj integruese euroatlantike dhe europiane është shumë e çmuar.
Estonia, si një nga shtetet anëtare të BE-së, e cila ka vuajtur nga izolimi, është më pranë shqiptarëve lidhur me ëndrrën për të lëvizur pa viza në hapësirën “Shengen”, si dhe në drejtim të anëtarësimit në BE. Kryetarja e Kuvendit theksoi se Shqipëria i ka përmbushur tashmë detyrimet dhe do të vlerësonte maksimalisht mbështetjen e Estonisë lidhur me heqjen e vizave dhe më tej, në drejtim të marrjes së statusit kandidat.
Nga ana e tij, kryeministri i Estonisë tha se partneriteti mes dy vendeve ka qenë shumë i frytshëm.
Kryetarja e Kuvendit dhe kryeministri i Estonisë diskutuan mbi rolin e diplomacisë parlamentare si një dimension funksional në dialogun dypalësh, me një ndikim pozitiv në bashkëpunimin ndërparlamentar dhe ndërkombëtar.
6 Prill 2010