E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasat fiskale jashtë standardeve, Tatimet gjobisin bizneset për mospajisje



Ervin KOÇI

Subjektet e biznesit në të gjithë vendin ndodhen midis dy “zjarreve”, atë të përdorimit të pajisjeve fiskale apo të kuponit tatimor që plotësohet me dorë. Ky problem ka lindur pasi Ministria e Financave ka bërë të ditur faktin që kasat fiskale të instaluara deri tani në subjektet private nga kompanitë e kontraktuara, janë jashtë standardeve. Por kjo gjë nuk i intereson Tatimeve, të cilat edhe pse në varësi të MF-së, ditët e fundit kanë vijuar aksionet e kontrollit dhe gjobitjet ndaj biznesit që nuk i përdor pajisjet fiskale. Me ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore dhe masat e reja për gjoba ndaj subjekteve që nuk vendosin kasat fiskale, tatimet kanë nisur një aksion të gjerë në të gjithë vendin. Gjobat shkojnë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë, madje dhe në mbyllje të aktivitetit. Nga të dhënat e fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mësohet se, janë vendosur rreth 400 mijë euro gjoba në të gjithë vendin. Sipas vendimit të qeverisë, procesi i instalimit të kasave duhet të përfundojë në të gjithë vendin brenda muajit dhjetor 2010. Por nga MF-ja zbulohen ndërkohë të tjera detaje të skandalit me kasat fiskale, ku pjesa dërrmuese doli jashtë standardit. Sipas MF-së, nga verifikimet e kryera në terren dhe mostrat e marra te pajisjet, rezulton se tre nga pesë kompanitë kanë abuzuar me rregulloren e vendosjes së kasës fiskale, duke thyer urdhrin mbi modelin e programimit, si dhe lejimin e hedhjes në treg të pajisjeve që nuk i shërbejnë procesit.

Gjobat
Sipas kreut të Tatimeve, aksioni për kontrollin e vendosjes së kasave fiskale është shtrirë në të gjithë vendin, ku mesatarisht shënohen 15 gjoba për çdo rajon të madh. Hetimet mbi procesin e sabotuar të kasave fiskale prekin zyrtarë të qeverisë, por Ministria e Financave mohon të japë emrat, ku një pjesë e të cilëve mendohet se kanë konflikt interesi. Ajo çfarë ka ndodhur aktualisht është lejimi i hedhjes në treg të pajisjeve që nuk i përmbaheshin rregullores dhe urdhrit të ministrisë sa i takon modelit të programit që duhet të instalohej te kasa. Shumë biznese i kanë marrë pajisjet pa pasur informacion të plotë mbi to, edhe pse me rregullore, shoqëritë duhet të kishin publikuar llojin e pajisjes dhe certifikimin e saj (sikurse ka ndodhur këto ditë në faqen zyrtare të Tatimeve). Janë të paktën 7 mijë kasa fiskale që mendohet se kanë rezultuar skarco, pra që nuk kishin modem për transmetim të dhënash, kurse pjesa tjetër rezultoi me dy rula. Ndërkaq mësohet se KLSH-ja ka kryer disa kontrolle në administratën tatimore, por nuk dihet me saktësi nëse kanë lidhje me procesin e kasave.

Udhëzimi
Nisur nga problemet e shumta, Ministria e Financave po mendon të nxjerrë një udhëzim të ri, që mund ta komplikojë edhe më shumë procesin. Ajo çka është mësuar deri tani është fakti i vendosjes së një sistemi qendror që do të komandojë çdo pajisje fiskale që kryen aktivitet. Pra në momentin që pajisja nuk i përmbahet standardit, direkt në çast, nga qendra në Tatime lëshohet sinjali për bllokimin e kasës fiskale. Pas konstatimit të problemeve, tashmë është Ministria e Financave ajo që ka marrë kontrollin e procesit, duke krijuar një grup të ri pune, i përbërë nga tre anëtarë, të cilët do të lëshojnë autorizim për çdo kasë që do të shitet. Me ndryshimet e fundit, kasat fiskale duhet të transmetojnë të dhëna çdo ditë dhe jo një herë në muaj. Ndryshimi vë në vështirësi kompanitë e kasave, të cilat duhet t’ia nisin nga e para procesin.

Bizneset debitore në Tatime, 660 subjekte të mëdha rrezikojnë mbylljen

Subjektet e biznesit të madh në Fier regjistrojnë një borxh në shifra të larta. Prej disa ditësh këto subjekte debitore janë duke u përballur me sanksione të forta, si bllokim aktiviteti, numrin e llogarisë bankare deri dhe ndjekje penale. Zyrtarisht burime nga dega tatimore Fier deklarojnë se, “rreth 660 biznese të mëdha janë debitore në vite dhe kanë krijuar një debi që shkon në shumën e 280 milionë lekëve”. Drejtori i departamentit të mbledhjes së borxhit pranë Drejtorisë së Tatimeve Fier, Bujar Jazaj, ka pohuar se, “numri i lartë prej 660 biznesesh nuk i përket vetëm vitit 2009, por i akumuluar me kohë të gjatë, sikurse dhe shuma e detyrimit”. Jazaj ka thënë se, një nga format për të detyruar bizneset debitore për të shlyer borxhet ka qenë bllokimi i aktivitetit të tyre dhe bllokimi i numrit të llogarisë në bankat ku ata operojnë. “Madje, kemi aplikuar edhe metodën e ndërprerjes së disa shërbimeve për këto biznese debitore. Kështu nuk po lejojmë që ato të kryejnë transaksione bankare apo dhe pagesa të ndryshme, ndërkohë që falë një bashkëpunimi me Drejtorinë e Automjeteve po i pengojmë këta debitorë që të rinovojnë dokumentet, apo dhe të targojnë mjete të reja”,- tha ai. Në degën e Fierit, rreth 230 bizneseve u është bllokuar numri i llogarisë, ndërkohë që katër të tjera kanë shkuar për ndjekje penale.

Licencat për energjetikën, sportel i ri në QKL

Brenda Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) do të ngrihet së shpejti një njësi e re për licencimin e subjekteve në sektorin e energjetikës. Ministria e Ekonomisë deklaron se, licencimi koncensionar në sektorin e energjisë, shoqërohet me miratimin edhe të 16 lejeve të tjera, siç janë ato mjedisore, të pronës, përdorimit të ujit etj, të cilat me ngritjen e njësisë së re do të aplikohen brenda QKL-së. Vënia në funksionim e kësaj njësie do të vërë nën kontroll të plotë procedurën koncesionare të licencimit në sektorin e energjisë dhe do të minimizojë burokracinë, si dhe të rrisë më tej eficiencën e investimit. “Parimi ynë, do të jetë ‘heshtja është miratim’, çka nënkupton se 30 ditë pas aplikimit, në rast se nuk merret asnjë përgjigje, kjo leje quhet e miratuar”,- deklaroi ministri Prifti. Ndërkohë, GTZ-ja gjermane ka konfirmuar se do të kontribuojë me asistencë teknike.

Projektligji mbi tokën djerrë, nis diskutimi në Kuvend

Ka mbërritur në Kuvend projektligji për marrjen dhe dhënien me qira nga shteti të tokave bujqësore që pronarët i lenë pa punuar. Projekti është në duart e deputetëve shqiptarë dhe shumë shpejt ai do të paraqitet në seancë plenare për t'u diskutuar dhe miratuar. Projekti ngjalli shumë debate mes maxhorancës dhe opozitës. Ideatorë të këtij projektligji, deputetë të maxhorancës thonë se, projekti synon vënien në qarkullim ekonomik të rreth 50 mijë ha tokë bujqësore të lëna djerrë nga pronarët e tyre, shumica në emigracion, por pa ndryshuar pronësinë. Por nga ana e saj, opozita e cilëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për afro 460 mijë familje fshatare. Ajo thotë se projektligji shkel Kushtetutën dhe kthen kohën e kolektivizimit komunist. Disa specialistë mendojnë se zgjidhja e këtij ngërçi mund të arrihet duke aplikuar më rigorozisht politikat e tatimeve dhe taksave.

6 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›