Rama: “Protestat e opozitës nuk do të ndalen as më 1 Maj”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ka bërë thirrje dje të gjithë qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen protestës së madhe të opozitës më 30 prill në bulevardin e Tiranës. Kreu i PS-së i ka ftuar të gjithë qytetarët në protestë që, sipas tij, t’i jepet fund krizës ekonomike dhe manipulimit të votave të qeverisë “Berisha 2”. Ashtu siç ka bërë të ditur edhe herë të tjera, Rama tha se ai së bashku me partnerët e koalicionit opozitar do të ndërmarrin edhe nismat e tyre protestuese në rrugën e protestës kulmore të 30 prillit. Kjo protestë, sipas tij, nuk do të ndalet, por do të pasojë edhe më pas.
Kreu i selisë rozë nënvizoi se do të jenë në protestë deri në rivendosjen e ekuilibrave demokratikë në këtë vend, ku, sipas tij, pushteti i disave nuk mund të vazhdojë të jetë njësh me shtetin e të gjithëve për interesat e atyre që grabisin votat, gjunjëzojnë drejtësinë, rrënojnë ekonominë.
Deklarata
“U bëj sot apel të gjithë qytetarëve të rimarrin në dorë fatin e tyre të marrë peng prej një pushteti që pasi grabiti votat, po rrënon ekonominë e vendit dhe të çdo familjeje shqiptare. Të hapim kutitë dhe të ndalim rrënimin ekonomik përmes protestave pa ndalim. Çdo ditë një protestë, për t’u takuar që të gjithë më 30 prill në bulevardin e Tiranës.
U bëj apel të gjithë atyre që duan të jetojnë me punë të ndershme, të rimarrin në dorë fatin e familjeve të tyre për të dalë nga kurthi marramendës i një krize ekonomike, e cila i ka rrënjët te grabitja e votës së popullit dhe te keqqeverisja e pushtetit të vjedhur që nuk garanton më askënd përveç vetvetes”, - u shpreh Rama. Ai shtoi më tej: “Të bashkohemi të gjithë për të refuzuar faturat e papërballueshme të kësaj qeverie që zhytet përditë në borxhe duke rritur çdo ditë çmimin e jetesës për çdo familje. Çdo ditë një protestë për t’u takuar që të gjithë më 30 prill në bulevardin e Tiranës. U bëj apel të papunëve të rimarrin në dorë fatin e tyre të mbetur jetim në duart e atyre që jo vetëm grabitën votat më 28 qershor, por po mbyllin përditë vende pune. Të bashkojmë forcat për të dënuar krimin elektoral dhe për të hapur kutitë e shpresës e të punësimit përmes protestave pa ndalim”.
Rama u ka bërë apel rrogëtarëve të keqtrajtuar të shtetit në administratë, spitale, shkolla, agjenci e ndërmarrje shtetërore, që të rimarrin në dorë fatin e tyre si qytetarë që nuk mund të kthehen në skllevërit e një pushteti të ngritur mbi korrupsionin e votës dhe futjen kudo të frikës së largimit nga puna për një fjalë goje. Ai theksoi se vetëm të bashkuar mund t’i japim fundin që meriton këtij pushteti që pasi fundosi zgjedhjet, po fundos edhe ekonominë, duke i lënë njerëzit përditë e më të papunë, përditë e më të pashpresë. “U bëj apel bujqve, fermerëve e peshkatarëve, ushtarakëve të liruar, minatorëve në aktivitet a në pension, komuniteteve të prekura nga padrejtësitë mbi pronat, shoqatave e organizmave të shoqërisë civile, të gjithë atyre që nuk gjejnë shteg në xhunglën ku shkelen liri e të drejta kushtetuese për këdo që s’është pjesë e familjes në pushtet, të rimarrin në dorë fatin e tyre si njerëz që në mes të Europës nuk mund të vidhen as në lirinë e tyre për të zgjedhur dhe as në të drejtat e tyre për të jetuar si të barabartë para ligjit”, - u shpreh Rama.
Protesta
Protestat e Partisë Socialiste nuk shoqërohen si zakonisht me sloganet për hapjen e kutive, apo me fjalimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndryshe nga nëntori i vitit të kaluar, çdo protestë është ndryshe, në bazë të problemeve apo konfliktit që një shtresë e qytetarëve ka me qeverinë. Zyrtarët socialistë në të gjithë Shqipërinë kanë për detyrë të nxisin dhe më pas të mbështesin qytetarët, të cilët do të protestojnë.
Megjithatë, forma e re e protestës ndaj qeverisë “Berisha” nuk do të lërë në hije hapjen e kutive dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Burime në selinë rozë bëjnë të ditur se qëndrimi përpara Kryeministrisë do të zgjasë për disa ditë, duke nisur nga e premtja e 30 prillit.
Kodheli: “Qeveria po e zhyt vendin çdo ditë dhe më shumë në krizë ekonomike”
Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, akuzoi dje qeverinë se po përkeqëson krizën ekonomike. Sipas saj, pushteti i Sali Berishës, i ngritur mbi manipulimin e votës, po rrit çmimet, po shton papunësinë, po e zhyt Shqipërinë në krizë dhe po e vështirëson përditë e më shumë jetën e shqiptarëve. Kodheli tha se për më tepër Berisha nuk është i aftë ta nxjerrë vendin nga kjo krizë. “Mungesa e theksuar e transparencës, jo vetëm e procesit zgjedhor, por e çdo fature marramendëse që gjithsekush prej nesh duhet të paguajë në fund të muajit, nuk bën gjë tjetër veçse e rëndon edhe më tej krizën që ka mbërthyer këtë vend”, - u shpreh Kodheli. Sipas saj, treguesit më të fundit ekonomikë, si treguesit e shitjeve apo ata monetarë, sinjalizojnë frenimin e mëtejshëm të rritjes ekonomike gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009 dhe fillimit të vitit 2010. “Ndërprerja e investimeve nga pjesa më e madhe e bizneseve, shfrytëzimi i ulët i kapaciteteve, rritja e papërfillshme e kredisë për investime, dëshmojnë për një ecuri të ngadaltë të investimeve private edhe në muajt e parë të këtij viti”, - u shpreh Kodheli, duke shtuar se “inflacioni zyrtar në muajin shkurt 2010 rezultoi 4.4 për qind, duke tejkaluar me 0.4 pikë kufirin e sipërm të tolerancës të përcaktuar si objektiv nga Banka e Shqipërisë. Nga ana tjetër, shifrat reale të një papunësie të frikshme, tkurrja e kredisë konsumatore, ecuria e dobët e shitjeve me pakicë, tregojnë për një frenim edhe të konsumit aktual edhe të atij të pritur”.
Balla: “Kryeministri Berisha po mban në këmbë një pushtet hajdutësh”
Partia Socialiste e ka akuzuar sërish kryeministrin Sali Berisha për krizën ekonomike që po kalon vendi. Deputeti Taulant Balla, gjatë një komunikimi me mediat, tha dje se përmes votës së vjedhur, kryeministri Berisha po mban në këmbë një pushtet hajdutësh dhe po i varfëron shqiptarët çdo ditë e më shumë. Balla tha se çmimet e shportës janë rritur ndjeshëm duke thelluar varfërinë, të cilën, sipas tij, nuk e ndiejnë vetëm kryeministri dhe oborri i tij. “Vetëm familja e Sali Berishës dhe familjarët e oborrit të superpasuruar nga korrupsioni nuk e ndiejnë sot thellimin e varfërisë për shkak të rritjes së çmimeve. Çmimet e shportës ushqimore janë rritur frikshëm bashkë me inflacionin. Fatkeqësia më e madhe nuk është që Sali Berisha i vodhi zgjedhjet e 28 qershorit, por fakti që Berisha përmes vjedhjes së votave po mban me pahir një pushtet për të vjedhur shqiptarët”, - u shpreh Balla.
6 Prill 2010