E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH arkëton edhe 2 milionë euro të tjera nga shitja e energjisë

Pas gjithë ekzistencës së saj, KESH po merr frytet e para falë modelit të ri të tregut, që e lejon të shesë energji elektrike. Pas operacionit të suksesshëm të muajit shkurt, duke arritur arkëtimin e 5 milionë eurove nga shitja e energjisë elektrike drejt Greqisë, KESH ka lidhur sërish kontratë për 53 milionë kilovatë, tashmë edhe drejt Kosovës. Me çmime gjithnjë e në rënie, KESH do të sigurojë rreth 2 milionë euro të ardhura, me një tarifë mesatare 37 euro për megavat. Lajmin e konfirmoi dje Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Nëse tregtia do të ishte kryer një vit më parë, kur çmimet ishin dy herë më të larta, fitimi do të ishte i konsiderueshëm, por kriza financiare i ka dhënë efektet edhe në tregun e energjetikës.

Ministria tha dje se në lidhje me eksportet e planifikuara nga KESH për muajin prill 2009, situata u krijua falë rritjes së prodhimit nga HEC-et, përtej nevojës. Kështu, drejt KEK-ut të Kosovës do të eksportohen rreth 26 mijë megavat. Konkretisht, i ndarë në lote, drejt Kosovës do të nisen në datat 1-9 prill, 100 megavat dhe 22-30 prill, 80 megavat, me sasi ditore 1600 megavat në orë, pra në total 25.920 megavat. Çmimi për njësi i kontraktuar do të jetë 39 euro. Me kompaninë publike greke, PPC, është rënë dakord për sasinë 1.040 megavat, me çmim burse të Athinës, 33 euro. Sasia e energjisë elektrike do të kalojë nga ora 07:00 deri në 21:00, pra orari pik, ku dhe çmimet janë të larta. KESH ka lidhur kontratë me një tjetër kompani greke, ATEL, për furnizimin me 26.400 megavat energji elektrike në orë. Pra, në total shitja e energjisë elektrike për muajin prill do të jetë 53.360 megavat/orë. Eksporti i energjisë, në total, për periudhën 05.04.2009-18.04.2009, do të jetë 6.900 megavat në ditë, si dhe duke parashikuar një konsum prej rreth 17.000 megavat në ditë, parashikohet që të prodhojmë rreth 24 mijë megavat. Dy ditë më parë u arrit të eksportohej rreth 3.895 megavat, ndërsa gjatë ditës së djeshme u shit 4.500 megavat.

Lidhur me situatën faktike hidroenergjetike, gjatë dy ditëve të fundit është regjistruar një nivel prodhimi i energjisë elektrike rreth 20 milionë kilovat/orë, kurse eksporti shënon 3.8 milionë kilovat/orë. Konsumi i energjisë elektrike ka pësuar rënie, falë uljes së temperaturave, duke regjistruar një nivel prej rreth 16 milionë kilovat/orë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›