E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfimet e dëshmitarëve në gjykatë: SHIK-u rrëmbeu tre agjentët sekretë!

Tashmë nuk ka as më të voglin dyshim se Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli janë rrëmbyer nga strukturat e SHIK-ut në vitin 1995. Ish-punonjësit e punishtes të materialeve duro-alumini kanë treguar se, pasditen e 21 tetorit të vitit 1995, disa persona kanë ardhur dhe janë takuar me Remzi Hoxhën. "Më pas, ata i lidhën duart Remziut", tha Dalip Seferi. Ai shtoi se në ato momente, kishte tentuar t‘i jepte ndihmë, por nuk mundi, pasi u përball me kërcënimin e atyre personave. Sipas tij, ishin këta persona që realizuan rrëmbimin e biznesmenit, por nuk i mbante mend fytyrat e tyre. "Unë pashë Remziun me duar të lidhura dhe personin që tha me pistoletë: Futu brenda në makinë!", u shpreh Seferi. Disa javë më parë, ka dëshmuar edhe ish-kreu i Shërbimit Sekret, Fatos Klosi. Dëshmia e tij u realizua me dyer të mbyllura. Klosi shpjegoi se si funksiononte Shërbimi Informativ Shtetëror, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, Xhevat Hana. "Unë nuk kam gjetur asnjë dokument në zyrat e SHIK-ut në momentin kur kam marr detyrën", deklaroi Klosi gjatë dëshmisë së dhënë para trupit gjykues. "Për të zbuluar diçka rreth zhdukjes së Remzi Hoxhës, caktova një inspektor. Sigurisht që inspektori punoi disa muaj, por në fund nuk gjeti asnjë të dhënë", vazhdoi më tej Klosi, duke saktësuar se në momentin që kishte marrë detyrën, i kishte gjetur muret e godinës me gjak. Fatos Klosi i tha gjykatës se për të gjitha veprimet e kryera ka vënë në dijeni herë pas here Kryeministrin dhe Presidentin e Republikës.

Në gjykatë është paraqitur edhe Agim Shehu, ish-drejtori i Policisë së Shtetit në vitin 1995. Sipas prokurorisë, Shehu kishte dijeni se tre persona ishin marrë nga SHIK-u dhe ishin keqtrajtuar. Por, para gjykatës, Shehu ka mohuar të ketë pasur dijeni për rrëmbimin e tyre. Ai deklaroi se, sapo ka mësuar për ngjarjen, ka vënë në dijeni ish-kryetarin e Parlamentit, Pjetër Arbnori, si dhe ish-presidentin në vitin 1995, Sali Berishën. "Për ngjarjen, kam vënë në dijeni Presidentin e Republikës në atë kohë, Sali Berisha, dhe Kryetarin e Kuvendit, Pjetër Arbnori", tha dje para trupit gjykues Agim Shehu, tashmë drejtor i investigimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka listuar emrat e dëshmitarëve kryesorë në procesin gjyqësor ndaj katër ish-drejtuesve të SHIK-ut, të akuzuar për rrëmbimin e shtetasve Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj, si dhe rrëmbimin e zhdukjen e biznesmenit kosovar Remzi Hoxha. Në listën e personave dëshmitarë (që kanë dëshmuar dhe do të dëshmojnë) me kërkesë të prokurorisë janë rreth 103 dëshmitarë. Listës së dëshmitarëve të akuzës i kanë prirë emrat e dy viktimave të këtij rrëmbimi, Ziso Kristopuli e Avdyl Loshaj, i pari ka dëshmuar dhe tjetri ndodhet në Holandë. Prokuroria ka lexuar në gjykatë dëshminë e ish-drejtuesit të SHIK-ut në vitin 1992-‘97, Bashkim Gazidede. "Marrja e dëshmive të këtyre dëshmitarëve të prokurorisë është shumë e rëndësishme për vërtetimin e akuzave të ngritura ndaj katër të pandehurve, Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro. Me dëshmitë e këtyre personave, prokuroria do të bindë gjykatën se katër ish-drejtuesit e SHIK-ut kanë kryer veprat penale të ‘rrëmbimit të personave‘ tri herë, të shoqëruara me tortura të rënda po tre herë, ndaj shtetasve Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur" thanë burimet e prokurorisë.

SHIK-u:

"Rrëmbimi" i të treve? Do

të rrëzonin Sali Berishën!

Nga materialet e administruara në dosje rezulton se motivi i rrëmbimit dhe torturimit të tre shtetasve ka qenë përfshirja e tyre në një aktivitet të stisur kriminal mes njëri-tjetrit nga tri viktimat për rrëzimin e qeverisë së Sali Berishës në vitin 1995. "Nga materialet e administruara në dosje rezulton e provuar dhe e dokumentuar se shtetasit Avdyl Loshaj, Ziso Kristopuli dhe Remzi Hoxha janë rrëmbyer, izoluar, torturuar dhe u janë marrë deklarime për aktivitetet e tyre të përbashkët kriminalë, në të njëjtën periudhë kohe, në të njëjtin vend dhe nga të njëjtët persona", thuhet në dosjen dërguar gjykatës. Sipas dosjes rezulton se nga rrëmbimi dhe mbajtja peng, shtetasi Avdyl Loshaj është liruar pas një muaji, shtetasi Ziso Kristopuli pas pesë ditësh, pasi në ndihmë të tij për ta liruar është vënë shtypi dhe media, të cilët kanë publikuar rrëmbimin. Ndërsa për shtetasin Remzi Hoxha, sipas akuzës, "ai është rrëmbyer nga persona të armatosur, punonjës të SHIK-ut, rreth orës 13:00 të 21 tetorit 1995, ku është lidhur me pranga dhe maskuar në fytyrë me anë të një thesi, duke e dërguar në Vainë të Lezhës, nga ku nuk është lëshuar, por është mbajtur dhe mbahet peng deri më sot, dhe nuk dihet për fatin e tij. Pra rezulton i zhdukur pa asnjë gjurmë, megjithëse në mënyrë të vazhdueshme, familjarët e tij e kanë kërkuar dhe vazhdojnë ta kërkojnë me këmbëngulje pranë organeve kompetente shqiptare", thuhet në dosjen dërguar Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Dosja

Provat e prokurorisë janë urdhra shërbimi, mandatpagese, vendime gjykate e procesverbale të ndryshme

SHIK-asit u "tradhtuan" nga dokumentet

Katër ish-shikasit e marrë të pandehur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda janë "tradhtuar" nga dokumentet e tyre që kanë lënë pas rrëmbimit të Remzi Hoxhës, Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt. Urdhra shërbimi, mandatpagese, mandatarkëtimi, fletëhyrje e fletëdalje në Vainë të Lezhës, shkresa zyrtare, vendime gjykate, procesverbale të ndryshme, dëshmi dhe korrespodenca mes institucioneve, janë provat kryesore që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka siguruar për të "gozhduar" ish-drejtuesit e SHIK-ut. Këto janë ndër provat kryesore që organi i akuzës i ka grumbulluar nga viti 1995 deri në prill të vitit 2008, kur dosja u dërgua pranë togave të zeza në Gjykatën e Krimeve të Rënda për gjykim. Mësohet se për grumbullimin e provave materiale kanë ndihmuar drejtuesit e drejtorive pranë Prokurorisë së Përgjithshme gjatë vitit 1995-‘97, të cilët kanë kryer një sërë veprimesh kryesore për zbulimin dhe gjetjen e trupit të biznesmenit kosovar Remzi Hoxha. "Nga hetimet e kryera ka rezultuar se janë zhdukur nga arkivat e SHIK-ut të gjitha urdhrat me shkrim për vëzhgimin e tre shtetasve që më pas u rrëmbyen, janë zhdukur urdhrat e rrëmbimit të lëshuara me shkrim, dorëshkrimet e marra gjatë kohës së mbajtjes peng dhe deklaratat e tyre ku kanë firmosur me dhunë për ‘aktivitetin e tyre kriminal‘ në Shqipëri", thuhet në dosjen e prokurorisë. Por, siç duket nga hetimi dhe grumbullimi i provave materiale, të katër të pandehurit nuk janë treguar të vëmendshëm në zhdukjen e materialeve që lidhen me rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Remzi Hoxhës. "Gjatë hetimeve dhe kontrolleve të kryera në arkivat e SHIK-ut janë gjetur një sërë mandatpagesash dhe mandatarkëtimesh, ku të pandehurit bashkë me shoqëruesit e tyre në rrëmbimin e tre shtetasve, kanë tërhequr të mira materiale nga financa e SHIK-ut për shërbimet e kryera, si dhe kanë dorëzuar fatura të karburantit të makinës, fatura të fjetjes në një hotel në Sarandë dhe fatura për dietat e marra gjatë shërbimit në Sarandë, Tiranë dhe Vainë të Lezhës gjatë vëzhgimit, rrëmbimit dhe torturave të ushtruara në qendrën ku mbaheshin të izoluar", thuhet në dosje. Sipas kësaj dosjeje të përpiluar nga prokurori Xhevat Hana, janë sekuestruar një sërë urdhrash shërbimi, ku të pandehurit, bashkë me agjentë të tjerë, kanë kryer për "llogari" të rrëmbimit dhe mbajtjes peng të tre viktimave Kristopuli, Loshaj dhe Hoxha. "Prova të rëndësishme për organin e akuzës, cilësohen edhe shkresat e dërguara dhe ardhura nga Ministria e Brendshme, konkretisht Drejtoria e Qarkullimit Rrugor të asaj kohe në lidhje me verifikimin e targave të makinave që janë përdorur për rrëmbimin e tre shtetasve Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha. Në cilësinë e provës është sekuestruar korrespodenca e mbajtur mes drejtorit të Përgjithshëm të SHIK-ut në atë kohë, Bashkim Gazidede, dhe Prokurorisë së Përgjithshme, për zhdukjen e shtetasit Remzi Hoxha, si dhe disa shkresa zyrtare të cilat ndodheshin në arkivat e Presidencës, të firmosura që nga viti 1996-‘97 nga Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, tashmë Kryeministër. Këto shkresa tregojnë në lidhje me dijeninë që kishte SHIK-u në atë kohë për rrëmbimin e tre shtetasve nga agjentët e saj" shtohet në dosje.

TË PANDEHURIT

Arben Sefgjini

Avni Koldashi

Budjon Meçe

Ilir Kumbaro

DËSHMITARË:

Ziso Kristopuli

Avdyl Loshaj

Bashkim Gazidede

Fatos Klosi

Agim Shehu

Mehmet Haxholli

Beqir Tershalla

Flamur Gjymyshka

Astrit Llanaj

Hamdi Rexhaj

Mevlud Matraka

Lefter Jani

Xhevdet Bashllari

Alfred Duka

Stefan Jano

Adrian Muho

Stefanaq Mekshi

Marin Miraj

Aleks Mikhasani

Viktor Sokoli

Mhill Pjetri

Llesh Cali

Tom Qushku

Gjok Mikhasani

Flora Mikhasani

Mark Frroku

Ilir Cenollari

Besnik Datja

Besim Datja

Bajram Bulica

Shpëtim Pashalli

Maliq Xheka

Sokrat Cala

Riza Shehu

Roland Dedeja

Mehmet Haxholli

Besnik Gjuzi

Eduart Qoku

Ramadan Selmani

Shpend Dibra

Muhamet Nela

Bexhet Muhellari

Nuredin Dervishi

Anibal Basha

Sevdije Hoxha

Nexhmedin Hoxha

Ardian Hoxha

Petrit Ame


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›