KESH, gara e privatizimit mbyllet në shtator
Procesi i privatizimit për Divizionin e Shpërndarjes në KESH mund të mbyllet në muajin shtator të këtij viti. Sipas ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, tha dje se, privatizimi i 75 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka hyrë në fazën përfundimtare. Tashmë, qeveria shqiptare, pas privatizimit të Albtelekomit dhe ARMO, i ka zhvendosur forcat drejt procesit të shitjes së aksioneve të KESH-it, por lënë mënjanë privatizimin e INSIG-ut. Privatizimi i aksioneve të OSSH-së, do t‘u hapte rrugë investimeve private, si dhe do të konsolidonte treguesit ekonomiko-financiarë të KESH-it. Për sa i përket vlerës së shitjes, nuk janë dhënë detaje të tepërta, por mësohet se ajo do të ndikohet më së shumti nga niveli i borxheve që KESH ka marrë gjatë viteve të fundit për të përmbushur nevojat e popullatës me energji elektrike. Mësohet se, KESH ka rreth 250 milionë euro, ku 140 milionë euro janë përdorur për nevojat e OSSH-së. Pikërisht kjo e fundit që do t‘u shitet të huajve, mund të mos marrë vlerën e duhur për 75 për qind të aksioneve të ofruara në treg.