E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet Uzina Mekanike, rreth 60 metalurgë dalin pa punë

Shteti i vë kyçin Uzinës Mekanike në zonën industriale të Metalurgjikut në Elbasan. Shkak është bërë falimentimi i saj përballë detyrimeve fiskale në sektorin e sigurimeve shoqërore të metalurgëve. Ka qenë paralajmërimi i fundit nga ana e Drejtorisë së Tatimeve të rrethit të Elbasanit, afati për të cilën ka mbaruar dje. Kështu, dega e Tatimeve në Elbasan ka bllokuar mesditën e djeshme tërësisht veprimtarinë ekonomike të Uzinës Mekanike "sh.a.", e cila ushtron aktivitet prej më shumë se 10 vitesh në qytetin e Elbasanit. Sipas kreut të Tatimeve të Elbasanit, Skënder Daja, është marrë ky sanksion, pasi kjo uzinë është një nga debitorët më të mëdhenj të degës së Tatimeve, sidomos në sektorin e derdhjes së kontributeve për punëtorët. Mësohet se prej më shumë se tre vjetësh, drejtoria e kësaj uzine nuk i ka shlyer detyrimet për 56 punëtorët në sektorin e sigurimeve shoqërore, por që mbulohen nga ana e zyrës tatimore. "Drejtuesve të uzinës i kishim lënë nëntë muaj kohë për të shlyer këto detyrime, por ata nuk morën asnjë masë, derisa u detyruam që të mbyllnim aktivitetin e punës së kësaj uzine", ka pohuar Daja. Mësohet se drejtuesit e uzinës, që nga viti 2005 nuk paguanin për 56 punëtorë, kontributet shoqërore. Sipas Dajës, duhet të ishin vetë punëtorët ata që të kërkonin sigurimin e pagës së tyre, pasi kjo uzinë bën derdhje të pandërprera, që edhe rrezikojnë jetën e tyre, por frika e mbylljes së uzinës i ka bërë që të heshtnin për këtë të drejtë parësore. "Ky është një problem shqetësues për ne, edhe për Inspektoratin e Lartë të Punës", deklaron Daja. Kjo uzinë mbetet e vetmja që nuk ka paguar kontributin e sigurimeve shoqërore të punëtorëve, vlera e së cilës shkon në një shifër debiti prej 17 milionë lekësh të reja. Kështu, në pamundësi për të paguar shumën në fjalë, uzina ka qenë e detyruar dje të deklarojë falimentimin e saj, duke lënë pa punë rreth 60 metalurgë. Sidoqoftë, është lënë një klauzolë, çka u jep mundësi drejtuesve të uzinës të shlyejnë detyrimin e kontributeve bashkë me gjobat shoqëruese dhe pastaj të lejohet rifillimi i punës, por kjo pa ndonjë afat të caktuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›