E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, indiferentë për sigurimin e jetës

Shqiptarëve nuk u intereson dhe aq për të siguruar jetën e tyre, madje as pronën private, si shtëpitë, por mjaftohen të bëjnë këtë gjë për automjetet, vetëm pse ua kërkon ligji. Përjashto banorët e Tiranës, në qytetet e tjera gjendja e raportuar nga shoqëritë e sigurimit është e mjerë, ndikuar dhe nga mungesa e kulturës. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka publikuar ditët e fundit një buletin statistikor të quajtur "Gjeografia e sigurimeve 2007", i cili realizohet për herë të parë. Nga të dhënat e këtij raporti mësohet fakti se vetëm Tirana zë 80 për qind të tregut për sigurimin e jetës nga shoqëritë private, ndërsa Durrësi zë vetëm 3 për qind. Për sa u përket qyteteve të tjera, nga raportimi i kompanive të sigurimit mësohet se niveli i sigurimit të jetës paraqitet në nivele tepër modeste, madje në disa zona nuk arrin as 1 për qind.

Raporti

Në thelb të këtij raporti të AMF-së, përfshihet informacioni mbi shpërndarjen e primeve dhe produkteve të sigurimit sipas prefekturave, i shoqëruar me informacion mbi dendësinë e sigurimeve (pra primi i sigurimit për frymë sipas prefekturave). Sipas AMF-së, "Gjeografia e Sigurimeve 2007" tenton të ndërtojë një bazë të dhënash të munguar, por tepër të nevojshme për tregun e sigurimeve në tërësi. Një strukturim i tillë i informacionit bën të mundur analizimin më të mirë të tregut të sigurimeve sipas zonave gjeografike, duke i ardhur në ndihmë mbikëqyrjes në lidhje me evidentimin e përqendrimit të tregut, vetë shoqërive, si dhe studiuesve të pavarur. Në një këndvështrim afatmesëm, sistemimi i të dhënave në këtë formë dhe përmirësimi i vazhdueshëm i raportimit nga operatorët në tregun e sigurimeve mund t‘u hapë rrugën publikimeve më komplekse të strukturuara jo vetëm për qëllime informative, por edhe për analiza të mirëfillta të shpërndarjes së risqeve, tarifimit të produkteve dhe mbulimeve nga katastrofat sipas zonave gjeografike. "Ky përmirësim do të mbështetet nga një sistem elektronik raportimi dhe përpunimi të të dhënave, për të cilin AMF është duke punuar", shprehen drejtuesit e saj.

Shifrat

Siç shihet dhe në grafik në prefekturat e mëdha ku është përqendruar biznesi dhe bankat, pesha specifike e produkteve të jetës është më e larta. Peshën më të madhe prej rreth 76 për qind në të ardhurat e sigurimit të jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Sipas AMF-së, ky produkt i sigurimit është kërkesë e bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë. Për sa i përket tregut të produkteve jomotorike të sigurimit, mbetet ende në nivele të ulëta, duke pasur parasysh këtu potencialet e mëdha të pashfrytëzuara që ka vendi. Sipas AMF-së, zhvillimi i tij është i lidhur ngushtë me nivelin ekonomik, por edhe me shkallën e edukimit dhe besimin e konsumatorëve ndaj operatorëve të tregut. Tregu i produkteve jomotorike përfshin sigurimin e pasurisë, si ambientet e banimit, subjektet private etj. Treguesit për sigurimin e këtyre pasurive flasin gjithnjë e më shumë për Tiranën, e cila zë një peshë prej rreth 79 për qind. Edhe pse me diferencë të madhe, në vend të dytë renditet qyteti i Durrësit me rreth 4 për qind të peshës që zë në total. Për sa u përket qyteteve të tjera, Fieri dhe Korça regjistrojnë të dhëna mbi sigurimin e pasurisë vetjake në masën 3,5 për qind, ndërsa qytetet e tjera variojnë nga 2 deri në 0,5 për qind.

Automjetet

Tregu i sigurimit të detyrueshëm të automjeteve, nga vetë fjala qëndron në vend të parë për sa i përket rritjes së të ardhurave. Përtej kësaj, bie në sy fakti se ndryshe nga shërbimet e tjera që ofrojnë kompanitë e sigurimit, ku Tirana zinte vendin e parë me një diferencë absolute në treg, për sigurimin e automjeteve, situata duket krejt ndryshe. Gjithsesi, nënvizon AMF, peshën më të madhe në prime të shkruara bruto në sigurimin motorik e zë Prefektura Tiranë me 42.97 për qind e më pas Durrësi me 13.58%, Fieri me 7.61 për qind dhe Vlora me 7.27 për qind, kjo e shpjeguar me faktin e përqendrimit më të madh të popullsisë në këto prefektura, por prefekturat e Durrësit dhe Vlorës duke qenë dhe prefektura bregdetare.

Standardet

Një tregues i rëndësishëm i tregut të sigurimeve është primi për frymë, i cili për vitin 2007 ishte rreth 1,877 lekë për frymë me një rritje prej 446 lekë krahasuar me një vit më parë. E ndarë në prefektura, ajo e Tiranës me 4,034 lekë për frymë zë vendin e parë e pasuar nga Prefektura Gjirokastër me 2,219 lekë për frymë dhe më tej Durrësi dhe Vlora përkatësisht me 2,107 lekë për frymë dhe 1,941 lekë për frymë. Një renditje e tillë ku Gjirokastra renditet e dyta shpjegohet me faktin se këtu popullsia nuk ka ritme rritjeje si në prefekturat e Shqipërisë Qendrore dhe bregdetare dhe se banorët e kësaj prefekture nuk shpenzojnë më shumë për produktet e sigurimit, por si një prefekturë kufitare mjetet që kalojnë drejt Greqisë blejnë produktin e Kartonit Jeshil, sqaron AMF.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›