E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutohet vëllai i Dritan Zhukës, vrasësit të bandës së Altin Dardhës

Ilirian Zhuka u godit me thikë në gjoks dhe u hodh pranë depos së ujit. Pista kryesore e hetimit, hakmarrja për aktivitetin kriminal të të vëllait

Luan Kondi

Tiranë – Ekzekutohet vëllai i Dritan Zhukës, Iliriani. Policia dyshon për vrasje, por deri tani nuk ka mundur të ndalojë asnjë të dyshuar. Burime policore thanë se policia e Beratit ka gjetur në orët e para të mëngjesit trupin e pajetë të një 32-vjeçari, që më pas u identifikua si Ilirian Zhuka. Viktima është gjetur pranë depos së ujit në lagjen “Kala”, i qëlluar me thikë në zemër. Trupi i pajetë i Zhukës është dërguar në morgun e qytetit të Beratit nga ku pritet që rezultatet e autopsisë të saktësojnë nëse kemi të bëjmë me një vrasje apo vetëvrasje.
Hetimi
Viktima Ilirian Zhuka është vëllai i njërit prej të fortëve të Beratit në vitet ‘97, Dritan Zhukës, i njohur ndryshe si Shuaip Zhuka, pjesëtar i bandës famëkeqe të Altin Dardhës. Për policinë, ky fakt do të përbëjë pistën kryesore të hetimit. Nisur nga këto të dhëna, policia sqaron se nëse rezulton që Ilirian Zhuka është vrarë, atëherë pista kryesore e hetimit do të ishte ajo e hakmarrjes. Pikësëpari, policia ka sekuestruar në vendngjarje një thikë në të cilën janë gjendur vetëm gjurmët e të ndjerit. Deri tani mendohet për një vetëvrasje, por deri në fund të hetimit policia mendon se do të gjejë patjetër arsyet dhe personat që kanë lidhje me të. Pista e dytë e hetimit është ajo e vrasjes për shkak të të vëllait të tij, Dritanit, i ekzekutuar shtatë vjet më parë pas aktivitetit kriminal në qytetin e Beratit.
Banda
Banda e Altin Dardhës ishte një nga më të tmerrshmet në Shqipërinë e viteve 1996-1999. Në Berat ekzistonin bandat e Muratçelepiasit, ajo e Kalasë dhe e Vakëfit. Luftën mes bandave e nisi hasmëria midis familjes së fisit Tomori me Altin Dardhën e cila ka nisur thjesht për shkaqe banale por që çoi në ekzekutimin e disa personave të të dyja familjeve. Banda e Altin Dardhës ka pasur si ekzekutor kryesor Dritan Zhukën, i cili dyshohet se ka kryer rreth 10 vrasje me pagesë në Berat, Fier, Vlorë, në vitet 1996-2001.
Më 2 nëntor 2001, forcat e policisë kriminale, në bashkëpunim me SKATET e forcat e RENEA-s, organizuan operacionin për kapjen e shumë të kërkuarit Dritan Zhuka (Shuaipit). Në kohën kur forcat e policisë e ato të RENEA-s i bënë thirrje se ishte i rrethuar, Dritan Zhupa qëlloi me armë kundër forcave të policisë. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë Dritani, i cili ka qenë i dënuar për vrasje, marrje pengjesh dhe si autor i vrasjes së shefit të Policisë Kriminale të Beratit, Ilir Ngresi.

28 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›