KESH, ndërpriten shkarkimet në HEC-e
26/04/2010 Ndërpriten shkarkimet nga hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin pas përmirësimit të gjendjes me nivelin e ujit. Për shkak të ndërprerjes së reshjeve dhe rënies së ndjeshme të prurjeve Korporata Elektroenergjetike Shqiptare vendosi dje të ndalimin e shkarkimit të ujit nga portat në HEC-et e Fierzës dhe Komanit. Burime nga KESH deklaruan dje se pavarësisht se liqeni i Fierzës është 30 centimetra mbi nivelin maksimal të lejuar prej 260 m situata paraqitet e qetë dhe e do të vazhdojë prodhimi maksimal i energjisë për të mos lejuar derdhjen e ujit. KESH theksoi dje ora 10:00 të paradites së djeshme në Fierzë niveli i ujit ishte 296.26 metër, prurjet janë 650 m3ujë/sek, ndërsa ka ndaluar shkarkimi. Ndërsa në Koman ku janë mbyllur portat e shkarkimit, niveli i ujit është 173.34 metër, prurjet janë 170m3 ujë/sek. Ndërkohë prodhimi i energjisë është në kapacitet maksimal dhe sipas të dhënave po prodhohen 28 milionë kilovat orë energji nga e cila konsumohet në rrjetin e brendshëm 17.17 milionë, ndërsa eksportohet 15.5 milionë. Reshjet e ditëve të fundit përveçse kanë hapur shumë probleme po sjellin edhe shumë përfitime ekonomike për KESH-in. Paraprakisht ishte parashikuar që eksporti i energjisë të vazhdonte deri në fillim të muajit maj, por me reshjet e shumta mendohet që shitja të vijojë edhe për muajin qershor. Duke filluar nga muaji janar i këtij viti, KESH-i ka rreth 900 milionë kilovat/orë duke arkëtuar 40 milionë euro të ardhura, ndërkohë që bashkë me eksportin e këtij muaji sasia e kalon 1.3 miliardë kilovat orë. Sipas drejtuesve të Korporatës, të ardhurat që po sigurohen nga eksporti i energjisë po përdoren për të shlyer borxhet.