E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohen tenderët për barnat e pajisjet mjekësore

26/04/2010 Shërbimet spitalore

Jo vetëm shërbimi i Onkologjikut në QSUT, por edhe shumë pavijone të tjera në QSUT vuajnë mungesën e barnave. Shkak për këtë deri më sot janë bërë vonesat në zhvillimin e tenderëve që sigurojnë barnat. Por drejtues të QSUT-së bëjnë të ditur se brenda pak ditësh do të bëhen publike edhe rezultatet e tenderëve të zhvilluar së fundmi jo vetëm në sigurimin e barnave, por edhe të pajisjeve të domosdoshme në këtë spital. Kreu i këtij institucioni, Ilir Dashi, ka pohuar se brenda pak ditësh pritet të shpallen dhe rezultatet e tenderëve të zhvilluar gjatë ditëve të fundit e që kanë të bëjnë me barnat e spitaleve, por edhe pajisjet. "Dy paketat e emergjencës, për barnat dhe për materialet mjekësore, pra i kemi kategorizuar në mënyrë të tillë që të mos fillojë pa kriter dhe le të themi sipas një rendi pa kuptim, po të fillojë pikërisht me paketën e emergjencave. Këta dy tenderë janë zhvilluar me sukses dhe shpallen brenda pak ditësh”, ka pohuar Dashi. Ndërkohë që në një mbledhje të zhvilluar pak ditë më parë me shefat e shërbimeve të këtij spitali, Dashi, lidhur me urdhrin e medikamenteve, ka kërkuar që çdo pavijon të furnizohet me to, pavarësisht se ndodhen në farmacinë qendrore të qendrës spitalore apo në ato periferike, ndërsa ka kërkuar një bashkëpunim më të mirë mes farmacistëve, kryeinfermierëve dhe shefave pavijoneve. Po ashtu është kërkuar edhe zbatimi i rreptë i të gjithë urdhrave të nxjerrë, si ai për sistemin e urgjencave, ashtu edhe ai i hyrje-daljeve të familjarëve. Në zbatim të këtyre urdhrave tashmë janë ngritur tri grupe monitorimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›