E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH nis eksportin e energjisë elektrike me Greqinë

Duke filluar nga dita e enjte, KESH do të shesë energji elektrike. Eksporti do të nisë me Greqinë, nëpërmjet kompanisë shtetërore të saj. Për një muaj e gjysmë, do të eksportohen në vendin fqinj 2 milionë kilovat orë në ditë. 

TIRANE- Ditën e enjte Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të nisë eksportin e energjisë elektrike. Drejtori i divizionit të prodhimit, Muharrem Stojku bën të ditur se energjia do t’i shitet Greqisë nëpërmjet kompanisë shtetërore të energjisë. Bëhet fjalë për një sasi prej 2 milionë kilovat orë në ditë e cila do të eksportohet duke nisur nga data 22 janar për rreth një muaj e gjysmë. Burimet zyrtare në KESH-it bëjnë të ditur se energjia do të shitet me çmimin që është në bursën e Athinës, duke zbritur nivelin e humbjeve në rrjetin e transmetimit.
Sipas drejtuesve të korporatës, fillimi i eksportit të energjisë u bë i mundur falë përmirësimit rë ndjeshëm të situatës hidrike në vend, për shkak të reshjeve të bollshme. Nga të dhënat e KESH-it rezulton se niveli i Fierzës ka arritur në 283.6 metra, duke qenë vetëm 6 metra larg kufirit maksimal. Ndërkohë që prurjet e ujit llogariten në rreth 240 metra kub në sekondë.
Situata e mirë hidrike ka mundësuar një nivel të lartë të prodhimit të energjisë, që ka arritur në 16 milionë kilovat orë në ditë. Ndërkohë që 5 milionë kilovat orë të tjerë importohen. Drejtuesit e KESH-it shpjegojnë se importi po vazhdon, pavarësisht se do të nisë eksporti, pasi janë lidhur që më përpara kontratat me kompanitë, të cilat duhet të respektohen. Me tenderin e zhvilluar në fund të dhjetorit, është siguruar importi i të gjithë sasisë së energjisë që duhet deri në fund të marsit. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›