E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH rrit eksportin, shtohen edhe 4 kontrata

Procesi
Tenderi për shitjen e energjisë arrin 10 milionë kWh/dita

KESH shton prodhimin, por edhe tregtinë, duke siguruar katër kontrata të reja. Me tenderin e zhvilluar dy ditë më parë, KESH tashmë arrin të eksportojë 10 milionë e 500 mijë kilovat energji elektrike në ditë, duke siguruar një të ardhur ditore prej rreth 434 mijë eurosh. kontratat janë të vlefshme deri në fund të muajit janar dhe janë lidhur me shoqëritë “EFT” Zvicër, “RUDNAP” Serbi, “EGL” Zvicër dhe “EZPADA” Ceki.
Pavarësisht të ardhurave të konsiderueshme, KESH ka shumë probleme për të menaxhuar. E para është përballimi i dëmit të shkaktuar nga përmbytjet, si dhe shlyerjen e borxheve të mëdha. Paratë që Korporata Energjetike ka arkëtuar nga shitja e energjisë gjatë muajit dhjetor dhe ato që pret të marrë në janar, nuk mjaftojnë as për të mbuluar shpenzimet emergjente që ka krijuar situata e përmbytjeve në fazën e parë të tyre.
Të dhënat zyrtare të vetë korporatës tregojnë se në dhjetor KESH fitoi nga eksporti i energjisë vetëm 2.3 milionë euro, duke shitur 55.6 milionë kilovat/orë energji, me një çmim mesatar prej 42.84 eurosh për megavat. Edhe pas rritjes së eksporteve në janar, si pasojë e tejmbushjes së hidrocentraleve, shifrat e arkëtuara nga eksporti do të vazhdojnë të jenë sërish të ulëta.Sa i takon OSSH-së, kompania çeke, CEZ, do të jetë e pranishme në tenderin që KESH parashikon të zhvillojë për kontratat e muajit shkurt.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›