Korrupsioni me shoferët, pranga 17 policëve
Shkrihet Komisariati Rrugor në Fier. 9 efektivë arrestohen, ndërsa 8 të tjerë dërgohen për ndjekje penale
Korrupsioni ka shkrirë Komisariatin e Policisë Rrugore në Fier, pasi nëntë punonjës janë arrestuar, ndërsa tetë të tjerë ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Arrestimi i tyre është bërë pikërisht gjatë ceremonisë së dhurimit të makinave të reja për këtë komisariat. Të arrestuarit, bashkë me të hetuarit në gjendje të lirë, ishin rreshtuar për ceremoninë e dhurimit të 18 mjeteve të reja, kur emrat e tyre janë thirrur një nga një për të dalë veç. Në ato momente, kolegët u kanë vënë prangat për korrupsion. Kjo ka qenë dhurata e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për ta në përvjetorin e policisë.
Ministria e Brendshme deklaroi zyrtarisht se në kuadër të luftës kundër korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme kishte vënë nën hetim prej shtatë muajsh 17 punonjës të policisë rrugore të Komisariatit të Policisë Fier. Në përfundim të këtij hetimi, për të cilin Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm bashkëpunoi me njësinë Task-Force në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, u krye arrestimi i nëntë punonjësve të policisë së qarkullimit rrugor të Komisariatit të Policisë Fier. “Në pranga kanë përfunduar Arjan Xheka, Bardhosh Malaj, Flamur Derveni, Pëllumb Toro, Pëllumb çepele, Vladimir Gjini, Leonard Brahimaj, Anesti Gjini dhe Ermir Gjonçe”, deklaroi Ministria e Brendshme.
Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe më shumë se një herë kanë kryer veprën penale të korrupsionit pasiv gjatë shërbimit përgjatë aksit rrugor Lushnjë-Fier-Vlorë, duke u marrë para drejtuesve të automjeteve në këmbim të mosndëshkimit administrativ për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Për të njëjtën akuzë filluan hetimet në gjendje të lirë edhe për tetë punonjës të tjerë të policisë rrugore në Komisariatin e Policisë Fier.
Nën hetim janë gjithashtu edhe 35 qytetarë, drejtues automjetesh, të cilët në kohë të ndryshme kanë kryer veprën penale të korrupsionit aktiv, duke u dhënë para këtyre punonjësve të policisë rrugore në këmbim të mosndëshkimit administrativ për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas të dhënave hetimore, të gjithë punonjësit e arrestuar janë me përvojë mbi 5-vjeçare dhe punonin në linjat nacionale, sidomos në akset Lushnjë-Fier-Ura e Mifolit. Ata janë vëzhguar, regjistruar me pamje filmike gjatë akteve korruptive.
#