Prifti: Fierzën e ula 290 metra. Shkarkimi? E vendos Berisha
Ministri: Arritëm rekord pozitiv. Situata në HEC-e
Ministri i Energjetikës, i çliruar nga pesha e hidrocentraleve, doli dje në publik duke paraqitur të dhënat më të fundit mbi kaskadën e Drinit. Situata, sipas tij, është përmirësuar, kurse Fierza është shumë pranë kuotës optimale të 290 metrave mbi nivelin e detit, nga mbi 293 metra që ishte rreth 10 ditë më parë. Në këtë rast, ministri falënderoi stafin e tij, KESH-in, dhe të gjitha strukturat e posaçme, duke theksuar se ajo çka u arrit ishte një punë gjigande. Sa u takon akuzave të opozitës dhe deklaratave për mundësinë e largimit nga detyra, Prifti u përgjigj duke thënë se vetëm Kryeministri Berisha, e më pas kreu i LSI-së, kanë të drejtë të vlerësojnë punën e tij, e më pas marrjen e vendimit për shkarkimin nga detyra.
Qëndrimi
“Nuk kish bërë vaki që prodhimi të arrinte në rreth 29 milionë kilovat/orë energji elektrike, sikurse nuk kish bërë vaki të eksportonim mbi 12 milionë kilovat energji”, ishin disa nga rekordet që ministri Dritan Prifti i cilësoi pozitive. Ai deklaroi dje me garanci për një rikthim në normalitet të kaskadës së Drinit. “Kemi një nivel të ujit në liqenin e Fierzës rreth 290 metra. Kemi një nivel në Koman 170 metra dhe në Vaun e Dejës niveli i ujit në liqen është 74 metra”, tha Prifti. Ministri ka ftuar PS-në në debat televiziv, në mënyrë që të vërtetojë punën efikase dhe transparente të bërë gjatë krizës energjetike.
Hidrocentralet
Në liqenin e hidrocentralit të Fierzës niveli i ujit i ka rënë edhe me 2 centimetra të tjera duke shënuar 290,17 metra. Sipas KESH-it, prurjet në këtë liqen janë 430 metra kub ujë në sekondë, ndërsa vazhdon të shkarkohen 630 metra kub ujë në sekondë. Jashtë rrezikut paraqitet situata edhe në liqenin e Komanit, niveli i ujit në të cilin ka zbritur në 170,42 metra. Po sipas KESH-it, në këtë liqen prurjet arrijnë në 170 metra kub ujë në sekondë dhe shkarkohen 860 metra kub ujë. Edhe në liqenin e Vaut të Dejës situata paraqitet jashtë rrezikut. Në këtë liqen, edhe pse niveli i ujit është rritur me 3 centimetra, ai poshtë nivelit maksimal të lejuar prej 76 metra.
Prifti sfidon PS-në
“Për ata që më akuzojnë për korrupsion e për të tjera shkelje, unë i bëj një thirrje të drejtpërdrejtë zotit Rama. Zgjidh njeriun më të mirë që ke në stafin tënd, zgjidh atë që e ke ministër hije të Energjetikës, ose e ke ministër të ardhshëm të Energjetikës, nëse do të vish ndonjëherë në pushtet, dhe unë e ftoj të dalë me mua në debat publik. Zgjidheni ju (Rama) televizionin, zgjidheni ju studion, moderatorin dhe çfarë të doni tjetër”.
#