E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH shkarkon 2000 m3 ujë në fushën e Shkodrës



NERTILA MAHO

Kaskada e Drinit i është rikthyer shkarkimeve masive të ujit për shkak të prurjeve të mëdha të cilat dje në Fierzë shënonin 1360 m3/s, kurse niveli i liqenit rritej 1 centimetër në orë. Komisioni i Posaçëm është mbledhur për të vlerësuar situatën dhe për të rritur kuotën e shkarkimeve të përcaktuar në norma më të kufizuara një ditë më parë. Kreu i KESH Muharrem Stojku informoi dje me detaje për gjendjen në secilin nga hidrocentralet e kaskadës. “Në Fierzë prurjet janë 1360 m3/sek dhe po shkarkohet 710 m3/sek. Në Koman shkarkojmë 1100 m3/sek dhe jemi në rënie të kuotës 4-5 cm në orë. Tani jemi 174.12 m ndërsa prurjet janë 500 m3/sek. Në Vaun e Dejës prurjet janë 120 m3/sek, shkarkimet 1450 m3/sek nga portat dhe me gjithë shkarkimet nga turbinat ato shkojnë 2000 m3/sek”, u shpreh Stojku. Ai nuk dha detaje lidhur me nivelin e liqenit më të madh të kaskadës së Drinit, Fierzën për të cilin dihet tashmë që ka kaluar më shumë se gjysmë metri mbi nivelin maksimal. Stojku pranoi që në zonën e Shkodrës dhe Nënshkodrës ka përmbytje të tokave bujqësore, por akoma uji nuk ka dëmtuar banesa. Ndërkohë që shkaqe të kësaj përmbytje janë cilësuar dëmtimi i argjinaturave dhe kaosi urban. Kreu i KESH ka garantuar se strukturat janë të gjitha në gatishmëri të plotë ndërkohë që nuk është shfaqur asnjë problem në hidrocentralet e kaskadës të cilët po punojnë me kapacitete maksimale. Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Leonard Beqiri pas mbledhjes së Komisionit të Posaçëm u shpreh se po bëhet gjithçka që të garantohet siguria e kaskadës. “Në 24 orët e fundit është përkeqësuar situata në kaskadën e Drinit si pasojë e reshjeve të shumta. Duke parë këtë situatë, e cila është monitoruar hap pas hapi nga Sekretariati Teknik pranë KESH dhe nga Grupi i Posaçëm, janë marrë vendime në vazhdimësi dhe në interes të ruajtjes së sigurisë së kaskadës së Drinit. Shkarkimet kanë qenë të tilla, në varësi të prurjeve”, tha Beqiri. Lidhur me vijimin e situatës nga ana e Ministrisë së Energjetikës u la të kuptohej se do të vazhdohet me këto shkarkime deri në një normalizim të situatës ndërkohë që situata është parë me optimizëm pasi prurjet dje kanë pasur një tendencë rënëse. Edhe për situatën energjetike në vend u konfirmua se prodhimi ka vazhduar me kapacitete maksimale çka ka sjellë një prodhim në nivelet 30 milion kwh në ditë dhe një eksport 17 milionë kwh në ditë. KESH filloi shkarkimet disa ditë më parë për shkak se liqeni i Fierzës kishte arritur nivelin maksimal dhe prurjet kishin shkuar në nivelin 1400 m3/s.

Situata dje

Fierza
Prurjet 1360 m3/s
Niveli i liqenit 296.57 metra
Niveli maksimal 296 metra
Derdhjet porta 710 m3/s
Derdhjet turbina 470 m3/s
Derdhje gjithsej 1180 m3/s

Komani
Prurjet anësore 500 m3/s
Prurjet nga Fierza 1180 m3/s
Prurje gjithsej 1680 m3/s
Niveli i liqenit 174.12 metra
Niveli maksimal 175 metra
Derdhje porta 1100 m3/s
Derdhje turbina 650 m3/s
Derdhje gjithsej 1750 m3/s

Vau i Dejës
Prurjet (anësore) 120 m3/s
Prurjet nga Komani 1750 m3/s
Prurjet gjithsej 1870 m3/s
Niveli i liqenit 75.67 metra
Niveli maksimal 76 metra
Derdhjet porta 1450 m3/s
Derdhje turbina 550 m3/s
Derdhje gjithsej 2000 m3/s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›