E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeqytetet nuk dhurohen

Ylli Asllani*

Kryeqyteti nuk është një dhuratë, të cilën mund ta përdorësh e ta trajtosh në mënyrë tekanjoze. Në të kundërt, Tirana është një territor intensiv publik, administrativ e urban, që duhet zhvilluar e paraprirë nga një strategji dhe platformë zhvillimi e studiuar. Madje në stadin e sotëm, kur po i afrohemi me shpejtësi një vetbllokimi, platforma për Tiranën e ardhshme është kërkesë imperative e kohës. Perspektiva e kryeqytetit si qendër e një shoqërie pluraliste, sigurisht do të jetë produkti i një debati dhe i unitetit të këndvështrimeve të kundërta rreth një perspektive të përbashkët. Ky produkt do të mbërrinte tek të interesuarit nëpërmjet një debati e diskutimi rreth studimeve profesioniste, pa paragjykime, të gjerë e të hapur me përfaqësues të zgjedhur të bashkisë qendër, njësive vendore fqinje, qeveritarë qendrorë, parlamentarë, ekspertë, specialistë, grupe interesi, si dhe qytetarë të kualifikuar e me kulturë demokratike. E rëndësishme pas këtij diskutimi është arritja në destinacionin final, d.m.th miratimi i linjës kryesore të një platforme të përbashkët. Detajet e veçanta të çdo rryme mendimi, le të përbëjnë avantazhin e gjithsecilit.
Verifikimi i problemit
Nga ky verifikim paraprak rezulton se Tirana po rend me shpejtësi pa një objeksion të caktuar, nën ritmin e një fizarmonike të çakorduar. Qytetarët e saj të etur për progres, mund të shuajnë kureshtjen në çdo lloj informacioni bashkiak për politikën e ditës, ftesa e thirrje për mosbindje civile, për të marrë pjesë në bojkote e demonstrata, për koncerte, për hapjen e kutive, sekuenca nga bota e krimit, evenimente rozë, skandale, thashetheme dhe nisma në makete prej kartoni, fragmente punësh të pambaruara etj. Në Tiranë mungon vetëm pyetja më normale e administruesve të saj:
“çfarë kryeqyteti do të dëshironit i dashur bashkëqytetar”?
Bashkisë, e përfshirë në konflikte të panevojshme, duket se i mungon shqetësimi qytetarëve për Tiranën e së ardhmes dhe vetëkuptohet që kur nuk ka problem, thuhet, në këto raste nuk ka as pyetje, as zgjidhje d.m.th nuk ka as njoftim dhe aq më pak një ftesë për diskutim. Në këto rrethana, e vetmja gjë që të shkon në mend është pyetja retorike:
A jemi dakord me administrimin aktual?
Pra, a mundet që mbi 600 mijë banorë të “dëshirojnë” të vazhdojnë të ndrydhen spontanisht brenda 3000 hektarëve, nën presionin në rritje të problemeve të shumta të superpopullimit, informacionit të falsifikuar, demonstrimeve groteske dhe konkurrencës së komuniteteve përreth? Pikërisht duhet të dimë paraprakisht nëse i pëlqen ndofta qytetarëve ky stil anarshist, që po çon Tiranën drejt bllokimit, duke mos kërkuar një zgjidhje të menduar për kërkesat e kohës dhe të perspektivës? Apo ka ardhur koha të përqafojmë një ide të re për menaxhimin e saj? D.m.th të hartohet një plan i ri për një kryeqendër kombëtare, me një përmasë të re territoriale dhe sjellje elitare bashkëpunimi, të cilat garantojnë një jetesë komode, zhvillim të harmonizuar, të qëndrueshëm dhe afatgjatë për 1 milion banorë dhe jo vetëm për kaq!. Me një fjalë, të formulohet paraprakisht një tezë e re për administrimin e kryeqytetit, duke u ngritur mbi kaosin që prodhon politika meskine e momentit.
A mundet bashkia qendër të jetë bërthama e modelit evropian të qeverisjes?
Para se të ngremë optikën për të ardhmen, gjykoj se ja vlen të verifikojmë nëse mundet të përdorim modelin ekzistues të administrimit të kryeqytetit, si bazë emancipuese të vlerave për të ardhmen. Sipas tërësisë së vlerave që mbartin euroqytetet, Tirana e sotme duhej presupozuar qyteti policentrik i decentralizuar, ku mendimi i kualifikuar dhe funksionimi i demokracisë lokale përbëjnë impulset kryesore të mirëadministrimit të saj. Kryeqyteti do të ishte stacioni ku Qeveria, Parlamenti, politikat europianizuese, njësitë e saj vendore, komunat e bashkitë përreth saj, institucionet e elitës publike, private dhe të shoqërisë civile do të gjenin përherë një partner të gatshëm për destinacionin e ri. Një destinacion, i cili nuk mund të projektohet dhe ndërtohet i vetëm. Pa mohuar prirjen, potencialet dhe vullnetin e komunitetit kryeqytetas, gjykoj se në këtë aspekt menaxhimi i Tiranës së sotme është ende larg vargut të vlerave universale qytetare. Pa përmendur ato vlera shtesë që mbartin kryeqytetet. Duke mos qenë nihilist, duhet të pranojmë se ekziston gjithsesi një tentativë për ta ekspozuar Tiranën në lartësinë e një metropoli. Kjo ndofta, nisur nga vërshimi në rritje i banorëve, prania e institucioneve qendrore, trupit diplomatik, ritmi marramendës i ndërtimeve, fasadat plot ngjyra, etj. Por kjo përçapje spontane nuk mund të jetë një alibi për miradministrimin e një kryeqendre bashkëkohore. Kryeqyteti polivalent i dëshiruar ngelet ende në suazin e një dëshire të pamundshme sepse gjurmët e deritashme të stafit aktual dhe metoda centriste, mjetet anakronike si dhe mënyra autokratike e drejtimit të këtij ekipi, nuk korrespondojnë me kërkesat reale për një kryeqendër moderne. Në stadin e sotëm, hierarkia e kryeqytetit do të vlerësohej përpos numrit të konsumatorëve edhe nga verifikimi i faktit, nëse ka një udhërrëfyes të denjë për një euroqytet dhe nëse suportohet kjo ide nga një asambël drejtues me përqendrim profesional, moral dhe i pajisur me program dhe piketa të qarta zhvillimi. Tirana për fat të keq vazhdon të mos ketë një strategji të zhvillimit të saj ekonomiko-sociale, një planifikim urban të qëndrueshëm dhe zhvillim harmonik të territorit të saj, një transport qytetar të kompletuar dhe një monografi të nevojave për shërbime, arsim, shëndetësi, punësim e investime. Nga ana tjetër, Bashkia qendër nuk po ja del të krijojë një ekip bashkëpunues, i cili do të shquhej nga cilësia e mendimit, transparenca e shërbimeve dhe kultura demokratike e administrimit të hapur përkundrejt të gjithë faktorëve të interesuar lokalë, rajonal e kombëtar që mbështesin progresin. Shumë zhurmë, shumë energji për një individ ose për asgjë. Bashkia në tentativën e saj shumëvjeçare të kujton thënien e vjetër, “Kush vrapon pas dy lepujve nuk kap asnjë.”
Ajo në kundërshtim me rolin e saj publik po konsumon shumë zhurmë, energji, burime materiale e njerëzore në suport të ambicies së kryetarit, për të kryesuar politikën e madhe dhe për të kapur qeverisjen e vendit, duke mos kryer detyrën për të cilën është votbesuar. Ajo anashkalon menaxhimin e kryeqytetit dhe rolin e saj elitar, si bashkërendues i një territori dhe civilizimi afatgjatë. Në këtë mision 10 vjeçar bashkia ka mobilizuar jo pak, por 3140 punonjës e drejtues të inkuadruar në 100 zyra e sektorë, si dhe një buxhet vjetor të stërmadh prej 120 milionë $. Megjithëkëtë arsenal në dispozicion, bashkia nuk po ja del të kanalizojë pozitivisht energjinë që mbart kryeqyteti. Në funksion të tekave të një individi, nëpunësit bashkiakë po krijojnë barrikada të “rezistueshme” nga recetat bashkëkohore të administrimit, kundër hapjes, europianizimit të shoqërisë e lëvizjes së lirë, kundër mendimit të lirë, të shkëputur nga produktet e realitetit dhe bashkëpunimi me faktorët e disponueshëm shoqëror, politik, moral e ligjor. Në Tiranë nuk funksionon demokracia lokale. Kryeqyteti do të ishte një portë e hapur për qytetarët, bastion i lirisë, barazisë, decentralizimit, civilizimit, solidaritetit, kulturës, administrimit, shkëmbimit të kapitaleve dhe ideve, marrëdhënieve tregtare, zhvillimit të paramenduar të territorit dhe hapjes ndaj modernitetit Kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve, në të kundërt të hapjes po vuan nga sindroma posesive e lidershipit për të thithur i vetëm të gjithë beneficet, kompetencat dhe përgjegjësitë... Si rrjedhojë, Tirana rezulton se është nga të paktat kryeqytete të centralizuara e për këtë shkak i destinuar të vetbllokohet.Kryetari i saj ka monopolizuar rreth vetes mbi 30 funksione dhe kompetenca, të cilat të decentralizuara në 11 minibashki do të dinamizonin çdo nerv të kryeqytetit dhe t’i jepnin përgjigje kërkesave imediate dhe të perspektivës të qytetarëve të vet, për një zhvillim të qëndrueshëm dhe një jetë të kulturuar e të begatë.
Në kundërshtim me normat e demokracisë dhe statusin moral e ligjor të Tiranës, Kryetarit i mungon sensi i bashkëqeverisjes së saj me 11 Kryetarët e Njësive Vendore. Kështu Tirana vazhdon të jetë qyteti unicentrik me një kryetar, me një bashki, me një qendër, me një sahat, me një furçë dhe me një këmbëngulje stoike për lustruar gjithçka pa prekur thelbin. Si rrjedhojë e këtij koncentrimi, vazhdojmë të kemi minibashki të përbuzura e pa kompetenca, megjithëse të dala nga zgjedhjet demokratike. Të kemi mandate të pakonsumuara individësh, këshilltarë apo përfaqësues të komunitetit që nuk munden të ofrojnë shërbesa. Të kemi qytetarë pa adresa, të paorganizuar në bazë pallati, blloku apo lagjeje, indiferentë e të nëpërfillur në kërkesat e tyre, të cilët nuk e dinë ende se ku të ankohen, të kërkojnë llogari apo të ofrojnë rekomandime. Në Tiranë kemi kolektiva të kulturuara, stafe ekspertësh, studio krijuese bashkëkohore, por që nuk i fton kush në tryeza rekomanduese apo diskutime të sinqerta me të zgjedhurit e tyre. Pak ose aspak prej banorëve njihen me vendimet që merren për jetën e përbashkët. Ndërsa për transparencën e përdorimit të të ardhurave dhe kontrollin qytetar, nuk bëhet fjalë. Duke mos pasur sa më sipër, vazhdojmë të kemi të njëjtat rrugë, trotuare, kanalizime, pak hapësira të gjelbërta, pak politika bashkiake sociale, edukuese, ambjentaliste, artistike dhe mungesë infrastrukture në tërësi dhe veçanërisht në zonat periferike apo ndërmjet pallateve. Vazhdojmë të kemi të njëjtën sasi uji, sistemi kanalizimesh të vjetëruar, një mjedis antihigjenik dhe për më tepër një bashki e cila për habi nuk i konsideron këto të fundit funksione të saj dhe si rrjedhojë nuk i merr përsipër t’i ndryshojë. Në morinë e shumëllojshme të problemeve të këtij konglomerati mungojnë normat, kodet e rregullat e jetës në kolektiv dhe askush nuk e di se ku po shkon dhe cili do të ishte drejtimi që do të duhet të mbajnë. Në Tiranë, për ironi të fatit, qytetarëve të thjeshtë, të cilët si pyet kush, i etiketojnë titullin “zotëri” dhe milionerët që bëjnë ligjin vetquhen “shokë”. Përfundimisht administratorët e Tiranës janë gozhduar nga deformimi i demokracisë në qeverisje, keqmenaxhimi dhe pamundësia për të kapur ritmin integrues të kohës. Për të dalë nga ky vetbllokim kërkohet një projekt dhe një kontratë e re bashkëpunimi, e cila do të lejonte qytetin e Tiranës të shndërrohej në epiqendrën e ardhshme moderne të qytetarëve shqiptarë.

*Këshilltar i Kryeministrit për Pushtetin Vendor dhe Decentralizimin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›