Interi mund Barçën, një hap larg finales së madhe të Madridit
Leonard Karaj
Interi ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kampioneve ndaj Barcelonës mbrëmë në “San Siro”.Për zikaltrit shënuan Shnajder, Majkon dhe Milito, ndërsa për Barcelonën, Pedro Rodriguez. Spanjollët bënë atë që dinin më mirë të bënin: kontrollin e topit. Katalanasit dominuan si në pjesën e parë dhe në të dytën, për sa i përket mbizotërimit të fushës së lojës duke u krijuar më shumë hapësira sulmuesve të vet. Në një të tillë Pedro në pjesën e parë u gjend i vetëm, në zonën e vogël të Hulio Sezar, duke mos e pasur të vështirë që të shënonte. Por Interi u tregua më i sigurt dhe i saktë tek porta e Barcelonës duke shënuar me tri kundërsulme. Duhet theksuar se në pjesën e parë Diego Milito humbi edhe dy-tri raste të pastra për shënim, para se të mbërrinte tek asist, dhënë Uesli Shnajderit, i cili i vetëm përballë Viktor Valdesit nuk gaboi, duke barazuar përkohësisht rezultatin. Në fraksionin e dytë të lojës zikaltrit shënuan shumë shpejt duke bërë një hap të sigurt drejt finales së Madridit. Ndërkohë, në hije totale Zlatan Ibrahimoviç, i cili nuk mundi të shfaqë asgjë nga talenti i tij ndaj ish-skuadrës me të cilën fitoi tri tituj kampionë. Ndërkohë ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave do të luhet pas një jave në “Kamp Nou” dhe finalja po në Spanjë, por në “Santiago Bernabeu” më 22 maj, kur të gjitha kampionatet elitare evropiane do të kenë përfunduar sezonin 2009-2010.
Inter-Barcelona 3-1
Shënues: Sneijder 30', Maicon 48’, Milito 61’/ Pedro 19’
Inter: Julio Cesar, Maicon (Chivu 73’), Samuel, Zanetti, Lucio, Thiago Motta, Eto’o, Sneijder, Cambiasso, Milito (Balotelli 75’), Pandev (Stankovic 56’). Trajner: Jose Mourinho
Barcelona: Valdes, Dani Alves, Pique, Puyol, Xavi, Ibrahimovic (Abidal 62’), Messi, Keita, Busquets, Pedro, Maxwell. Trajner: Pep Guardiola