E Diel, 1 Nëntor 2026

Shirat ndotin Bogovën, Berati dy ditë pa ujë



BERAT - Shirat e rrëmbyeshëm të dy ditëve të fundit kanë ndotur vendburimin e Bogovës. Inertet e krijuara nga nxjerrja e pllakave të gurit kanë përfunduar brenda këtij ujësjellësi. Kjo ka bërë që qyteti i Beratit të mbetet dy ditë pa ujë të pijshëm. Lajmin e konfirmoi dje edhe drejtori ujësjellësit, Fatmir Shehu. Sipas tij, gjendja në vendburimin e Bogovës është skandaloze. “Vendburimi është i ndotur nga depërtimi i inerteve, të cilat janë shumë të rrezikshme. Kjo gjendje është e vazhdueshme, sa herë që bien shirat, Bogova ndotet”, u shpreh Shehu. Sipas tij, drejtoria e ujësjellësit e ka bërë prezente gjendjen që krijohet nga minierat e pllakave të gurit në zonën e Tomorit, në afërsi të vendburimit të Bogovës. “Ne kërkojmë nga ana e Prefekturës dhe Ministria e Mjedisit që të ndërhyhet për ndalimin e aktiviteteve të këtyre firmave të cilat kanë ndotur edhe ujin e pijshëm”, u shpreh drejtori i ujësjellësit. Sipas specialistëve, uji i ndotur rrezikon shëndetin e 60 mijë banorëve. Qytetarët e Beratit prej dy ditësh nuk e përdorin ujin e pijshëm, por ata bëjnë apel që të ndërhyhet pasi situata është e rëndë. Ata janë detyruar të mbushin ujin e pijshëm në vendburimet e tjera. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›