KFOR dhe EULEX indiferentë ndaj strategjisë së qeverisë për veriun e Kosovës
e strategjisë për veriun. Të dyja këto institucione thonë se nuk janë pjesë e strategjisë dhe se çdo veprim të tyre në Kosovë do ta bëjnë në përputhje me mandatin që kanë. Ky nuk është dokument i BE dhe krejt çka mund të them është se EULEX është konsultuar për këtë gjë. Ndaras nga kjo, EULEX po vazhdon të punojë në fushën e sundimit të ligjit, jo vetëm në veri, por në tërë Kosovën, thotë zëdhënësi i EULEX, Nikolas Hotën. Strategjia, e cila ka pësuar disa ndryshime nga versioni i parë i publikuar në media, në fokus ka kthimin e sundimit të ligjit në veriun e vendit. Për këtë kërkohet ndihma e EULEX dhe e KFOR. Në strategji thuhet se reduktimi i KFOR mund të krijojë hapësirë për forcimin e elementeve radikale që kontrollojnë strukturat paralele serbe në veri. Por, zëdhënësi i KFOR, Hans Peter Buh, hedh poshtë mundësinë e angazhimit të KFOR në strategji. Nuk ka angazhim të KFOR në strategji. I vetmi angazhim që do të ketë KFOR, është nëse do të ketë trazira në veri, ose pjesë të tjera. Pra, nëse rrezikohet situata e sigurisë, atëherë KFOR-i do të veprojë apo reagojë. Jashtë kësaj, KFOR-i nuk është i angazhuar në të ashtuquajturën strategji për veriun, shprehet koloneli Buh. Nga ana tjetër, zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë qartësuar për KFOR dhe EULEX se angazhimi i tyre në përpjekjet për të kthyer kontrollin në veriun e vendit, nuk del jashtë kompetencave të tyre. Kjo vlen sidomos për EULEX, nga i cili, ndër të tjera, kërkohet që ti funksionalizojë gjykatat në veri, të kthejë kontrollin në doganat e Kosovës dhe të forcojë policinë e Kosovës. Janë po këto fusha, për të cilat është i mandatuar EULEX. Sidoqoftë, ky mision nuk pranon të jetë pjesë e strategjisë. Strategjia parasheh krijimin e një trupi të përbërë nga të gjithë aktorët ndërkombëtarë në Kosovë, si ICO, EULEX, KFOR-i, institucionet e BE, UNMIK e qeveria e Kosovës, trup ky që do të mbante takime të rregullta. Përfaqësues të KFOR nuk kanë përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes në një trup të tillë, por pa harruar të përsërisin se pjesëmarrja nuk i bën ata pjesë të strategjisë për veriun. Ne kemi bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar dhe me institucionet e Kosovës. Kështu që, nëse ata e thërrasin KFOR-in që të marrë pjesë në bisedime, takime, natyrisht që KFOR-i do të marrë pjesë. Por, kjo nuk nënkupton se KFOR-i do të ndërmarrë veprime. Mendoj se këto janë dy gjëra të ndryshme, thotë koloneli Buh. Ndërkohë, përfaqësues të KFOR kanë kritikuar një nga pikat e strategjisë, në të cilën thuhet se me reduktimin e KFOR, mund të forcohet prania e elementeve radikale në veri. Ne po bëjmë shumë ushtrime. Në dy ditët e kaluara i kemi dislokuar dy kompani amerikane në veri. Kemi dëshmuar shpesh edhe me kombet tjera në veri, kur ishin të vendosura në kampin Noting Hill, se ne jemi kudo, shprehet zëdhënësi i KFOR-it, Hans Peter Buh. Zyrtarë të KFOR kanë thënë se çështja e veriut duhet të zgjidhet përmes bisedimeve dhe jo dhunës. Dokumenti për kthimin e kontrollit në veri vlerësohet si mjaft i mirë, por vështirë i zbatueshëm. Kësaj, sipas analistëve, i kontribuon mosuniteti i misioneve ndërkombëtare në Kosovë karshi dokumentit.