E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR e EULEX-serbëve: Largoni barrikadat në Veri

MITROVICE-Në veri të Kosovës, në përpjekje për një marrëveshje për largimin e barrikadave, sot pasdite u zhvillua një takim i komandantit të KFOR-it, Erhard Dreës dhe Shefit të EULEX-it, Xavier de Marnhac, me kryetarët e katër komunave serbe.

Zyra e shtypit të EULEX bën me dije se në takim u diskutua rreth lirisë së lëvizjes si “parim kryesor të Bashkimit Evropian”.

“Liria e lëvizjes duhet të rivendoset shumë shpejt duke larguar barrikadat rrugore për të mirën e popullsisë lokale dhe pranisë ndërkombëtare”, përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in”, thuhet në njoftimin e shtypit.

“Ne presim që të rivendoset liria e lëvizjes për të gjithë në mënyrë që njerëzit të vazhdojnë jetën e tyre normale pa kufizime. Njerëzit e duan lirinë e lëvizjes dhe sundimin e ligjit. Ata që vendosin bllokadat rrugore duhet t’i zhvendosin ato. Këtë e presin edhe të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, ka theksuar Marnhac.

Sipas njoftimeve nga veriu, gjatë natës së kaluar kolonat e KFOR-it kanë shkuar deri afër barrikadave në Dudin Kërsh dhe Jagnjenicë në rrugët drejt vendkalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, por nuk kishin vepruar pasi para tyre qëndronin serbët barrikadues, me të cilët ishin kryetarët e komunave veriore të zgjedhjeve të organizuara nga Beogradi.
Më 19 tetor, EULEX-i njoftonte se bashkë me KFOR-in kishin filluar në mëngjes një operacion të përbashkët për rivendosjen e lirisë së lëvizjes në veri të Kosovës. "Barrikadat u larguan dhe u vendosën pika të kontrollit për automjete dhe postblloqe. Këto veprime janë ndërmarrë afër Pikëkalimit 31 si dhe në zonën e Zubin Potokut", thuhej në njoftim, ku po ashtu bëhej e ditur se "janë shënuar disa incidente të vogla.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›