KFOR-i dhuron kontejnerë
Detashmenti i Përbashkët Rajonal-Veri i KFOR-it që nga e hëna, ka filluar me dhurimin e kontejnerëve në rajonin e vet të përgjegjësisë. Meqë një pjesë e kampit “Belvedere” të KFOR-it francez do të mbyllet, atëherë kontejnerët tepricë do t’u dhurohen shkollave në gjuhën shqipe dhe serbe në jug dhe veri të lumit Ibër.
Sipas njoftimit të KFOR-it, ky operacion shënon pikëfillimin e një numri ngjarjesh dhe mbulon të gjithë pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë enklavat me shqiptarë dhe serbë si Koshutovë, Bistricë, Cerajë, Prilluzhë dhe Grace.
Si dhuratë fillestare, të hënën janë dhënë shtatë kontejnerë, në të cilët gravitojnë nxënësit e Prilluzhës dhe Graces, si dhe për shkolla e çerdhe.
Javën e ardhshme, KFOR-i dhe CIMIC-u francez i Detashmentit të Përbashkët Rajonal-Veri do të ndajë pesë kontejnerë për shkollën e mesme të bujqësisë dhe vrojtësve të komunës së Leshakut. Ndërkohë, shkollat në Vushtrri dhe Skenderaj do të marrin rreth 20 kontejnerë. 5 kontejnerë gjithashtu do të shpërndahen për Policinë e Kosovës në Zubin Potok, Skenderaj dhe Mitrovicën jugore.
Me këtë aksion, CIMIC-ku i Detashmentit të Përbashkët Rajonal-Veri i KFOR-it vazhdon t’i ofrojë popullatës vendore material ndihmës për të rritur kushtet jetësore të të gjithë atyre që jetojnë në veri të Kosovës.