E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i italian investon në kulmin e çerdhes në Pejë

Pejë, 11 gusht - Nënkoloneli Giusepe Fontana, shef i Zyrës ndërlidhësi të kontingjentit italian të KFOR-it me shoqërinë civile, është shprehur i lumtur që shteti i tij është duke ndihmuar rregullimin e ambienteve për fatosat në gjithë zonën e përgjegjësisë së kontingjentit të shtetit të tij, në zonën perëndimore të Kosovës. Të mërkurën, pranë çerdhes së fëmijëve “Pëllumbat e Paqes” në Pejë, ku nisnin punimet për rindërtimin e kulmit të këtij institucioni parashkollor, nënkoloneli Fontana ka theksuar se është kënaqësi të investohet në institucionet në të cilat fëmijët kalojnë një pjesë të rritës së tyre nën përkujdesjen e edukatoreve. “Si askund tjetër ndihem shumë mirë kur shoh të investohet në infrastrukturën e institucioneve parashkollore”, ka thënë ai.
Fontana ka thënë se kërkesa për rikonstruktimin e kulmit ishte bërë nga KK i Pejës në nëntor të vitit të shkuar.
“Brenda 60 ditësh do të kryhen punimet”, ka sqaruar shefi i CIMIC-it italian, duke shtuar se investimet në infrastrukturën e institucioneve shkollore dhe shëndetësore do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. “CIMIC do të vazhdojë së investuari në projektet që lidhen me arsimin dhe shëndetësinë”, ka thënë ai.
çerdhja “Pëllumbat e Paqes” është ndërtuar para 35 vjetësh. Ndonëse konsiderohej më e mira në Kosovë, të mërkurën është cilësuar si shumë e amortizuar, prandaj përfaqësuesit komunalë të pranishëm në këtë ceremoni kanë thënë se KK-ja është duke bërë përpjekje për ndarje buxhetore për investime në interierin e kësaj godine dhe tri godinave tjera me po këtë emër në qytetin e Pejës. “KK-ja do të shikojë mundësinë që vitin e ardhshëm të nisë ndërtimin edhe të një çerdheje të re”, ka thënë zyrtari Gazmend Muhaxheri.
Nënkoloneli italian ka thënë se investimi për këtë kulm është 16 mijë euro, si dhe ka treguar se paralelisht, në një pjesë tjetër të kulmit të këtij institucioni parashkollor, është duke investuar edhe OJQ “Save dhe Children”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›