E Diel, 1 Nëntor 2026

Urgjencës së Prishtinës, donacion nga OBSH-ja

Prishtinë, 11 gusht - Qendra e Urgjencës Mjekësore, e cila funksionon në kuadër të shëndetësisë primare në komunën e Prishtinës, ka përfituar sot një donacion prej 16.491 eurove nga Zyra e OBSH-së në Kosovë.

Ceremonia e dorëzimit të këtyre pajisjeve esenciale për kurset e trajnimit në emergjenca mjekësore, dhe të cilat do të përdoren për aktivitetet trajnuese në të ardhmen,  me qëllim të avancimit profesional të punëtorëve shëndetësorë që punojnë në sektorin e emergjencave mjekësore, është mbajtur në këtë qendër, ndërsa përfaqësues të OBSH-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Qeverisë së Luksemburgut e kanë vlerësuar donacionin rezultat të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm midis këtyre faktorëve në shëndetësi dhe të dobishëm për emergjencat mjekësore.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se kjo organizatë, në vijim të programeve të saja për asistencë në fushën e shëndetësisë në Kosovë, do të mbështesë edhe më tej avancimin e shërbimeve shëndetësore këtu, duke u krijuar profesionistëve mundësinë që emergjencat mjekësore t'i trajtojnë në mënyrat më të avancuara sot.

Dr. Lulzim çela, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, ka falënderuar donatorët dhe mbështetësit e shëndetësisë kosovare, duke theksuar faktin se pajisjet e reja dhe zhvillimi edhe i kapaciteteve të tjera do të mundësojnë që të zbatohen objektivat e parashtruar në Strategjinë e zhvillimit të sektorit shëndetësor në Kosovë.

Pierre Weber, përfaqësues i Qeverisë së Luksemburgut në Kosovë, ka uruar stafin mjekësor të QUM-së së kryeqytetit dhe ka shprehur besimin për përdorim efikas të donacionit në funksion të përparimit të shëndetit.

Ndërkaq, drejtori i kësaj qendre, dr. Haki Dragusha ka theksuar se punonjësit e Qendrës,  që janë 83 veta, do të jene mirënjohës për ndihmën dhe do të punojnë që qytetarët të gëzojnë shërbimet mjekësore që i meritojnë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›