Largohet Hasani

Avdullah Hasani, themelues i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës dhe eurodeputet i të rinjve të Kosovës në Këshillin e Lartë të Rinisë së BE-së, ka dhënë dorëheqje nga funksioni i kryetarit të Kuvendit të të Rinjve të Kosovës.
Lajmin për dorëheqjen e tij, anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të të Rinjve të Kosovës e kanë mësuar nga letra e dorëheqjes të lëshuar nga Avdullah Hasani në adresë të anëtarëve të Kuvendit dhe të Rinjve të Kosovës. Në letrën e dorëheqjes së Avdullah Hasanit thuhet se gjatë këtyre dy viteve e gjysmë është përpjekur që të japë gjithçka që mundet për të shërbyer si kryetar i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës.
“Besoj se së bashku me ju kemi kryer aktivitete dhe jemi angazhuar shumë që të rinjve të vendit t’iu krijohen kushte sa më të mira të jetesës dhe infrastrukturë, ku ata t’i zhvillojnë aktivitet e tyre”, shprehet Hasani.
Me anë të kësaj letre, kryetari i deritashëm i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës i falënderon anëtarët e Kuvendit të të Rinjve si dhe të rinjtë e Kosovës për mbështetjen të tyre të vazhdueshme dhe inkurajimin gjatë kësaj periudhe.
“Ju siguroj se unë do të mbështes me entuziazëm punën e Sektorit të Rinisë në Republikën e Kosovës, po ashtu falënderoj edhe anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme që më besuan që unë të udhëheq funksion e Kryetarit të Kuvendit të të Rinjve të Kosovës në dy legjislatura”, thuhet në këtë deklaratë të Abdullah Hasanit.