Me tryeza në BE?
Një muaj pasi Presidentja Atifete Jahjaga themeloi Këshillin Kombëtar për Integrime Europiane, edhe Ministria për Integrime Vlora Çitaku ka formuar një Task Forcë me të cilën shpreson ta çojë Kosovën në Bashkimin Europian.
Krejt këto mekanizma institucionalë po krijohen në kohën kur Kosovës iu konfirmua nisja e studimit të fizibilitetit, derisa vendi është në pritje të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
“Task Forca është mekanizëm praktik dhe konsensual, që ka për qëllim përshpejtimin e procesit të integrimit europian duke ndihmuar arritjen e objektivave të nevojshme për këtë proces”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Integrime Europiane.
Me këtë institucion janë paraparë hartimi i një dokumenti që ky dikaster e ka quajtur “diagnostikues” dhe një strategjie nacionale për integrim europian.
Ministrja për Integrime Europiane, Vlora Çitaku, ka thënë se gjithëpërfshirja që do të realizohet në kuadër të Task Forcës nuk është nominale, por ka të bëjë me “materializimin e konsensusit të brendshëm nëpërmes mundësimit të ofrimit të kontributit.”
Ndryshe, me mekanizmin e ri institucional nuk është paraparë ndonjë hap konkret përpos tryezave dhe hartimit të dokumenteve, me të cilat identifikohen problemet e Kosovës në raport me BE’në.
“Aktivitetet specifike të Task Forcës do të organizohen në bazë të shtatë tryezave tematike, të cilat reflektojnë kriteret e Kopenhagës dhe acquis communautaire, ndërsa rezultatet e pritura synojnë të adresojnë nevojën për identifikimin e sfidave dhe planifikimin strategjik”, thuhet aty.
Veç kësaj, me Task Forcën e re kanë paraparë matjen e rezultateve, duke diagnostikuar arritjet e institucioneve drejt integrimit në BE.
“Propozim për Strategji Kombëtare për Integrim Europian - e cila pritet të ofrojë një formulim preciz të objektivave, mjeteve dhe veprimeve në dispozicion, përfshirë këtu indikatorët e suksesit, burimet mbështetëse apo aspekte tjera”.
Në Task Forcë do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve nga të gjitha nivelet; përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit, profesorë universitarë, ekspertë nga lëmi të ndryshme dhe palë tjera të interesit në këtë proces.
Por, cili është qëllimi i Task Forcës?
“Task Forca ka për qëllim të shumëfishojë përpjekjet dhe angazhimin nëpërmes pjesëmarrjes dhe kontributit të gjithë akterëve në qeverisje, politikë, akademi, publik, shoqëri civile, media, si dhe palë tjera të interesit në lidhje me procesin e integrimit evropian”.
Ndryshe, ditë më parë, Nënkryetari i AAK’së, Blerim Shala, në një shkrim për Express ka shkruar se formimi i këshillave dhe institucioneve e ka shndërruar Qeverinë në institucion këshillues e jo ekzekutiv.
”Këshill pas këshilli, Qeveria është bërë një këshillimore, e Kosova, kur bëhet fjalë për perspektivën e qytetarëve të saj të jetojnë si duhet, po i ngjan një jetimoreje”, ka shkruar udhëheqësi aktual i AAK’së.
“Do të kemi këshilla të rinj, trupa të rinj, organizime të reja, sepse gjë tjetër nuk dinë të prodhojnë institucionet qendrore të Kosovës, pos trupave të këtillë që dëshmojnë gjymtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, ka shkruar Shala.
Aktivitetet e Task Forcës
Sipas Ministrisë së Integrimeve, aktivitetet e Task Forcës do të zhvillohen në kuadër të shtatë tryezave tematike, ku do të diskutohet për reformat e administratës publike; Drejtësia, Liria dhe Siguria; Ekonomia, Financat dhe Statistikat; Tregtia, Industria, Doganat, Tatimet, Tregu i Brendshëm, Konkurrenca dhe Mbrojtja e Konsumatorit dhe ajo Shëndetësore; Inovacioni, Shoqëria Informative, Politikat Sociale dhe ato Shëndetësore; Transporti, Mjedisi, Energjia dhe Zhvillimi Rajonal, si dhe Bujqësia, Peshkataria, Pylltaria, Siguria e Ushqimit dhe Zhvillimi Rural.