E Diel, 1 Nëntor 2026

KFOR-i rrit gatishmërinë, sot manovra në Kosovë

Trupat shumëkombëshe ndërkombëtare në Kosovë kanë rritur masat e sigurisë pas shpërthimit në zyrat e përfaqësuesit civil ndërkombëtar në Prishtinë. Siç njofton komanda e lartë e KFOR-it, sot, një autokolonë automjetesh të KFOR-it, që i përkasin batalionit gjermano-austriak, do të lëvizë në orët e mëngjesit nëpër Kosovë, në drejtim Mitrovicë-Ferizaj. Kjo lëvizje nuk ka të bëjë me ndonjë përgatitje apo intervenim ndaj situatës aktuale, apo ndaj diçkaje që pritet në Kosovë. Batalioni gjermano-austriak, përkohësisht i dislokuar në Kosovë, gjatë javës së ardhshme do të zhvillojë operacione në Komunën e Dardanës, si pjesëmarrje në manovrat e planifikuara rutinore. Në vazhdim, batalioni do të dislokohet në Komunën e Prizrenit. Provat operative bëhen me qëllim që të sigurohet që trupat e NATO-s janë të trajnuara mirë dhe që e njohin mirë mjedisin e Kosovës. Gjatë tri javëve të kaluara, batalioni operativ i forcave rezervë operoi në Komunën e Mitrovicës dhe atë të Skenderaj. Trupat e KFOR-it do të përpiqen të minimizojnë pengesat eventuale. Kërkohet që secili të ketë durim, me qëllim të shmangies së ndonjë incidenti, thuhet në një njoftim të lëshuar sot nga zyra e KFOR-it për komunikim publik.

Qeveria

Përmes një komunikate për opinionin, qeveria e Republikës së Kosovës rikonfirmon përkushtimin e saj të palëkundur për zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari në tërësinë e tij dhe në tërë territorin e Kosovës. Në këtë drejtim, qeveria është e përkushtuar që të thellojë edhe më tej bashkëpunimin me Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe Pieter Feith, me misionin EULEX dhe Yves de Kermabon, si dhe me të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare në vend, që punojnë për të mirën e qytetarëve të Kosovës. "Ne po zhvillojmë biseda korrekte e konstruktive me partnerët tanë ndërkombëtarë, biseda këto pa presione, përtej një qëllimi dhe vullneti të mirë. Por, dua të theksoj se ka përfunduar koha kur është vendosur për Kosovën, pa Kosovën. Kosova nuk do të ndryshojë qëndrim, ato pika duhet të ndryshojnë. Ne kemi qëndrim shtetëror, i cili do të respektohet deri në fund", deklaroi Kryeministri Hashim Thaçi, në fshatin Vinarc, pas përurimit të rrugës së re që lidh këtë fshat me qytetin e Mitrovicës. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, pas përurimit të rrugës në fshatin Vinarc, ka dhënë edhe një mesazh për qytetarët e vendit. "Unë dua të jem përsëri shumë i qartë. Planet e qeverisë së Republikës së Kosovës, projektet e institucioneve tona shtetërore nuk ndërlidhen me projektet e errëta të Beogradit për Kosovën. Ne kemi projekte zhvillimi, projekte progresi, projekte që hapin perspektivë për shtetasit tanë", theksoi Thaçi.

BE

Zyrtarë të lartë të BE-së edhe më tej po zhvillojnë bisedime me liderët kosovarë, me ata të OKB-së dhe të Serbisë për eliminimin e dyshimeve dhe frikës, në mënyrë që EULEX-i të fillojë veprimin operativ në muajin dhjetor. Kështu ka deklaruar Kristina Galak, zëdhënësja e Havier Solanës. Kjo bëhet për të mundur të jetësohen konkluzat e shefave të diplomacive të BE-së, që EULEX-i të jetë i gatshëm të zbatojë mandatin e tij në fillim të dhjetorit, ka thënë Galak. Deri më tani, Solana nuk ka përgatitur ndonjë porosi për autoritetet kosovare, në të cilën do të figuronte data e fillimit të punës së EULEX-it. Bashkimi Evropian synon marrëveshjen me të gjitha palët, ka thënë zëdhënësja Galak.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›