Pajaziti: Vazhdojnë hetimet për incidentin
Ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti, konfirmoi se në kuadër të punëve intensive nga njësitet hetuese të Policisë së Kosovës për zbardhjen e shpërthimit afër ndërtesës së ICO-së, janë duke u shqyrtuar edhe detajet për shtimin e masave të sigurisë tek institucionet ndërkombëtare. Njësitë hetimore të policisë së Kosovës kanë filluar punën e tyre dhe ato po ndihmohen nga specialistë të policisë ndërkombëtare dhe të KFOR-it, ka pohuar ministri Pajaziti. Ndëekohë, masat e sigurisë janë shtuar para Zyrës Civile Ndërkombëtare, një ditë pasi qe një mjet ende i paidentifikuar ka shpërthyer para ICO-së. Policia thotë se ende nuk e ka identifikuar personin apo grupin e njerëzve që ka realizuar sulmin para kësaj ndërtese. Përpos një komunikate të lëshuar pas sulmit, Zyra Civile Ndërkombëtare nuk dëshiron që të komentojë më tutje këtë ngjarje. Ata i besojnë tërësisht Policisë së Kosovës dhe për këtë arsye, këtë çështje ia lejojnë tërësisht policëve kosovarë që të merren me rastin. Jo zyrtarisht mësohet se zyrtarët e ICO-së nuk duan të tërheqin vëmendjen e opinionit, pasi ata vlerësojnë se autorët që realizuan sulmin nuk kanë pasur për qëllim që të lëndojnë pjesëtarët e ICO-së. Ky qëndrim i zyrtarëve të ICO nga ata justifikohet me faktin se sulmi u bë pas orarit të punës dhe përpos kësaj, Policia e Shtetit mbrëmë deklaroi se mjeti shpërthyes nuk ka qenë fragmentues, që do të thotë se fuqia e tij nuk ishte fuqi shpërndarëse dhe kështu dëmi ka qenë vetëm material.