E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i shton masat e sigurisë në veri

KFOR, përmes një deklarate për shtyp, ka bërë të ditur se "pas një dite demonstrimi, situata u përkeqësua në Pikën Doganore 1 në Jarinje, dhe është konfirmuar se persona të panjohur kanë vënë zjarr në këtë pikë kufitare".

“Gjithashtu, janë konfirmuar raportimet për të shtëna ndaj personelit të KFOR-it në afërsi. Forcat e KFOR-it të vendosura atje, do të përforcohen gjatë mbrëmjes në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i situates”, thuhet në njoftim.

"Ky do të jetë një proces në vazhdim dhe KFOR-i pret që pas përforcimit, rendi të rivendoset shumë shpejt". Në pikën kufitare 31 në Bernjak, KFOR-i ka shtuar masat e sigurisë dhe mbrojtjes personale në atë vend.

Komandanti i KFOR-it, Gjenerali Erhard Buhler, sot ka marrë pjesë në disa takime me lider politikë nga të dyja palët për të negociuar një zgjidhje në bazë të deklaratës së djeshme tre-pikëshe:

"Të gjitha njësitë ROSU do të kthehen në jug; bllokadat rrugore të serbeve do të hiqen; oficerë “të thjeshtë” të Policisë së Kosovës të dy etniciteteve do të vendosen në pikën doganore në Jarinje", thuhet në njoftim.

Gjeneral Buhler apelon tek të gjithë njerëzit paqësorë të Kosovës të largohen nga dhuna dhe të mbështesin një zgjidhje paqësore për krizën aktuale.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›