Vazhdon ndërtimi i xhamisë ilegale

Megjithëse i është refuzuar leja, Bashkësia Islame e Prishtinës ka vazhduar punimet në ndërtimin e xhamisë në rrugën “Isa Kastrati”. E banorët e lokacionit ku po ndërtohet kjo xhami e kanë lajmëruar Komunën se punimet po kryhen të dielave kur inspektorët komunalë llogaritet të mos jenë aktivë.
“Të dielën është punuar përmbi katin e parë, dhe kjo nuk ka qenë hera e parë që po veprohet kështu, kur gjatë vikendit po kryhen punime këtu”, ka thënë I.A., e cila jeton në këtë lagje.
Ajo madje ka potencuar se banorët e lagjes janë të shqetësuar nga zhvillimet rreth kësaj xhamie, shkruan koha.
Ndërtimi i kësaj xhamie ka filluar para më shumë se një viti, dhe aty pos themeleve është ndërtuar edhe kati i parë. Komuna e Prishtinës pati ndërmarrë një aksion për parandalimin e ndërtimit, para disa muajsh, për t’i kthyer më pas edhe përgjigje negative BIK-ut në kërkesën për leje ndërtimore.
Kurse drejtori i Inspektoratit komunal, Muhamet Gashi, pati deklaruar se kjo xhami do të rrënohet pasi që pjesërisht është e ndërtuar në pronë komunale. Megjithatë, nga atëherë Komuna nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta rrënuar xhaminë./Indeksonline/