E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresim Uka merr 850 euro nga Posta e Kosovës

Ka punuar që nga paralufta në Postelekomin e Kosovës (PTK) dhe vazhdon të punoj edhe tash. Veç tash, pas korporatizimit, Shpresim Uka merr rrogë mbi 850 euro nga Posta e Kosovës, që aktualisht drejtohet nga nipi i Azem Sylës, Sejdi Hoxha.

Rrogën vazhdon ta merr edhe tash kur ndaj tij EULEX-i ka ngritur aktakuzë në rastin e njohur si “Bllaca II” dhe vazhdon të jetë i denoncuar publikisht si eprori i tij nga ana e dëshmitarit bashkëpunues të prokurorisë së EULEX-it, Nazim Bllaca.

Në Postën e Kosovës nuk e mohojnë këtë fakt, por edhe kanë një arsye pse i japin ende rrogë Shpresim Ukës, njëherit dhëndër i familjes së Azem Sylës, tash deputet i PDK-së së Hashim Thaçit e dikur shef i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Posta e Kosovës si Ndërmarrje Publike, të gjitha veprimet e saj operative, afariste dhe menaxheriale i zhvillon në bazë të Ligjeve në fuqi, gjithashtu respekton edhe çdo veprim të organeve gjyqësore, që ndërlidhen me punonjësit e PK sh.a. Punonjësi ne fjale ka qenë dhe është punonjës i PK sh.a., PK sh.a në asnjë formë apo mënyre nuk paragjykon vendimet e gjykatës, andaj si PK sh.a. çdo vendim definitiv të gjykatës do te respektojmë në të gjitha aspektet. Sa kemi njohuri ne asnjë vendim nga gjykata për rastin ne fjale nuk kemi pranuar”, thuhet në përgjigjet e kësaj ndërmarrje publike për Indeksonline.

Ata thonë që t’ia ndërprenë kontratën të akuzuarit Shpresim Uka ende nuk kanë marrë ndonjë kërkesë nga organet e drejtësisë.

Megjithëse thonë që janë transparent,m ata nuk kanë pranuar të tregojnë sa paguhet Shpreism Uka, por Indeksonline ka siguruar një listë pagash të PTK-së, ku Uka merr mbi 850 euro pagë mujore.

Ndryshe, në tetor të viti të kaluar Prokurori Maorizio Salustro pati bindur gjyqtarin Gianfranko Gallo se ka prova të mjaftueshme se Sadik Abazi, Fahredin Gashi, Driton Hajdari, Bekim Syla, Shaban Syla dhe Shpresim Uka kanë kryer vepra të rënda penale.

Ky gjyqtar italian ka konfirmuar aktakuzën e dytë në “rastin Bllaca” të ngritur nga bashkëkombësi i tij Salustro, duke i hapur rrugën kështu nisjes së një gjykimi të dytë. Këta persona gjykohen bazuar në rrëfimet e Nazim Bllacës, i cili pretendon se ka qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës, shërbim ky i afërt me PDK-në e Hashim Thaçit, nën autoritetin e të cilit ka kryer të paktën një vrasjen.

Aktakuza është ndarë në tri pika. Për vrasjen e Ibush Kllokoqit akuzohen Sadik Abazi, Bekim Syla, Fahredin Gashi dhe Shpresim Uka. Për vrasjen në tentativë të Ismet Arifit, Sadik Abazi, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Bekim Syla, ndërsa për vrasjen po ashtu në tentativë të Adem Salihajt, Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Shaban Syla.

Ky proces do të marr fund këtë muaj. Është paralajmëruar 17 dhjetori i këtij viti si data kur pritet të merret vendimi përfundimtar. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›