E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e Kosovës nuk komenton ligjin e Berishës

(E plotësuar) Presidenca e Kosovës, nuk ka qenë e gatshme të komentojë projektligjin e qeverisë shqiptare, për dhënien e shtetësisë për të gjithë shqiptarët.

Këshilltari i presidencës, Arbër Vllahiu, ka rekomanduar Indeksonline-in, që t’i drejtohet një institucioni tjetër, Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.

“Duhet t’i drejtoheni qeverisë për këtë punë” ka thënë Vllahiu.

Më pas, ai u arsyetua se nuk mund të flasë më shumë meqë është rrugës.

Qeveria e Kosovës ndërkohë, vlerëson se kjo është e drejtë e shtetit shqiptar.
“Është e drejtë sovrane e tyre që të vendosin për këtë çështje” ka thënë për Indeksonline, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

...

Në mbledhjen e 4 dhjetorit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Kryeministri Berisha kërkoi dorëzimin me përparësi në parlament të ligjit i cili përcakton njohjen pa kushte të shtetësisë shqiptare për çdo shqiptar jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë.

Lëvizja për Bashkim duke e konsideruar njohjen e shtetësisë shqiptare për të gjithë shqiptarët si një të drejtë dhe nevojë të madhe e mbështetë fuqishëm këtë qëndrim të kryeministrit shqiptar. Gjithashtu, konsiderojmë që pas shprehjes së vullnetit politik për të bërë këtë hap, shteti shqiptar duhet të mos mjaftohet me të por të vazhdojë me procedimin sa më të shpejt të projektligjit për shtetësi në parlament.

Lëvizja për Bashkim, vazhdimisht është angazhuar që kjo e drejtë të realizohet sa më parë. Madje, në këtë drejtim, është angazhuar edhe praktikisht përmes aksionit politik për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me pasaporta nën moton ‘Një komb, një pasaportë” me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, qëllimi i të cilit ishte sensibilizimi i shtetit shqiptar për njohjen e të drejtës për nënshtetësi për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen./Indeksonline/

---

Berisha: Shtetësi për shqiptarët kudo në botë

Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar në Vlorë, ka deklaruar se do të japë shtetësinë shqiptare për shqiptarët kudo që ndodhen. Ai tha se ky është ligji i 100- vjetorit. Ai tha se ky ligj nuk bëhet me qëllime elektorale. 

Berisha u kërkoi edhe fqinjve dhe ndërkombëtarëve mirëkuptim për këtë çështje.

“Kërkoj mirëkuptimin e fqinjëve dhe të faktorit ndërkombëtar. Çështja shqiptare është sërish një çështje që ekziston në mënyrë të padiskutueshme. Ka një albanofobi ndaj shqiptarëve dhe kjo duhet të zhduket nëpërmjet procesit të bashkimit të shqiptarëve. Kjo nuk zhduket nëpërmjet status-quo-ve që e thellojnë më shumë albanofobinë,” tha Berisha.

...

Kryeministri Sali Berisha është zhvendosur nga ndërtesa e Qeverisë në Tranë, për të mbajtur mbledhjen e këtij institucioni bashkë me kabinetin e tij, në Shtëpinë Muze në Vlorë, aty ku 100 vjet më parë Ismail Qemali mbajti mbledhjen e parë të kabinetit të drejtuar prej tij.

Mbledhja e parë e 100 vjetorit e shtetit shqiptar, sipas tij, meriton të mbahet në Vlorë.

"Qeveria e parë u zgjodh nga Kuvendi me propozim të Ismail Qemalit.Këtu u mblodh ajo që do të quhej pleqësia e do ishte e barabartë me një këshill shteti apo senat, si do shpreheshin aty përfaqësues të kuvendit. Qeveria e parë në historinë e shqiptarëve, pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së Krujës me propozim të kryetarit të saj do zgjidhej nga Kuvendi ndonëse në mbledhjen e parë Kuvendi kishte autorizuar kryeministrin Ismail Qemali të zgjidhte qeverinë, por më 4 dhjetor në prani të 63 anëtarëve të kuvendit", tha Berisha, duke iu drejtuar ministrave, shkruan TCH.

Më tej ai ka shprehur edhe një herë njëherë mirënjohjen për qytetarët dhe liderët botërorë të cilët morën pjesë në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, duke nënvizuar faktin se festa e 100 vjetorit, për nga madhështia dhe pjesëmarrja ishte e paprecedentë në historinë e kombit tonë.

“Një mirënjohje të thellë shkon për qytetarët e Vlorës dhe të Tiranës, të cilët me bujarinë e tyre, me atdhetarinë tyre, me mikpritjen e shndërruan 28 Nëntorin, 100-vjetorin e pavarësisë në festën më të bukur, më të madhe. Kurrë ndonjëherë në historinë e vendit Tirana dhe Vlora nuk kanë pasur një prani kaq gjigante qytetarësh të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare sa në datën 28 nëntor. Por mirënjohja e thellë u shkon të gjithë miqve nga mbarë bota që nderuan Shqipërinë në 100-vjetorin e pavarësisë”, u shpreh kryeministri.

Berisha vlerësoi festimet për 28 Nëntorin, duke falënderuar të gjithë ata që morën pjesë në këtë ditë të shënuar të historisë së shtetit shqiptar./Indeksonline./
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›