E Diel, 1 Nëntor 2026

KFOR shtyn afatin për barrikadat, serbët stop EULEX dhe kosovarëve

MITROVICË- Duket se KFOR nuk do të ndërmarrë sot aksionin e paraljamëruar për heqjen e barrikadave serbe në pjesen veriore të Kosovës.

Mediat kosovare duke iu referuar burimeve të KFOR-it bëjnë të ditur se trupat ushtarake u kanë dhënë dhe një mundësi serbeve deri të dielën për ti hequr në mënyrë vullnetarë barrikadat.

Kjo ka ardhur pas një takimi të zhvilluar gjatë natës së kaluar mes përfaqësuesve të KFOR dhe serbëve të veriut.

Burimet thonë se serbët kanë pranuar që të lejojnë qarkullimin e lirë të KFOR në veri të vendit, por jo të forcave të policisë së Kosovës dhe forcave të EULEX-it.

Aksioni i KFOR ishte paralajmëruar të fillonte në orën 10:00 ku makinat e para të KFOR do të niseshin nga fshati Maxhunaj drejt kufirit.

Ndërkohë rreth 200 serbë janë duke protestuar pranë urës së lumit Ibër, kundër vendimit të KFOR-it për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës.

Situata në Mitrovicë mbetet e qetë, kurse vërehen forca të shtuara të sigurisë, të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, mbi urën kryesore mbi lumin Ibër.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›