KFOR sot nis pastrimin e një rruge afër Zubin Potokut

Forcat e NATO-s në Kosovë kanë njoftuar se sot do të kryejnë një operacion të pastrimit të dheut i cili ka rrezik të rrëshqasë në afërsi të Zubin Potokut.
“Qëllimi i këtij operacioni, i cili do të zgjasë rreth dy javë, është largimi i rrëshqitjes së dheut nga rruga në mënyrë që të përmirësohet liria e lëvizjes jo vetëm për KFOR-in por edhe për organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Njoftimi gjithashtu thotë se Policia e Kosovës do të ndihmojë në këtë operacion pasi duhet të mbajë qytetarët larg vendit ku makineritë e mëdha ushtarake do të punojnë.
KFOR-I zotohet se do të kontribuojë për një mjedis të qetë e të sigurt si dhe për lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe se do të vazhdojë ta bëjë këtë me vendosmëri, me maturi dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje të plotë me mandatin e tij. /Indeksonline/