KINEMA – Regjisori iranian largohet për në Evropë pas dënimit me burg

TEHERAN, 14 maj /ATSH/ – Pasi u dënua me tetë vjet burg, regjisori iranian i vlerësuar me çmime, Mohammad Rasoulof iku në Evropë, pak para premierës së filmit të tij të fundit në Festivalin e Filmit në Kanë, shkruan apnews.com.
“Unë mbërrita në Evropë disa ditë më parë pas një udhëtimi të gjatë dhe të ndërlikuar”, theksoi Rasoulof në një deklaratë.
Javën e kaluar, avokati i Rasoulof deklaroi se regjisori ishte dënuar me tetë vjet burg, fshikullim dhe konfiskim të pronës nga Republika Islamike.
Avokati i Rasoulof, Babak Paknia, tha se ”regjisori po ndëshkohej për filmat e tij”.
Autoritetet iraniane nuk kanë pasur asnjë koment të menjëhershëm për largimin e tij.
Rasoulof dhe artistë të tjerë kishin bashkënënshkruar një letër duke u kërkuar autoriteteve të dorëzonin armët, gjatë demonstratave mbi shembjen e ndërtesës në vitin 2022 që vrau të paktën 29 njerëz në qytetin jugperëndimor të Abadanit.
Rasoulof, 51 vjeç, është artisti i fundit që është vënë në shënjestër në një goditje të gjerë ndaj të gjithë disidencës në Iran pas vitesh protestash masive, duke përfshirë vdekjen e Mahsa Amini në vitin 2022.
Filmi i tij i vitit 2020 “There Is No Evil” fitoi çmimin ”Ariu i Artë” në Berlin në vitin 2020./ /os/