E Shtunë, 31 Tetor 2026

KIPRED: Perëndimi përkrah krijimin e 'UÇK – Qeverisë'

Sipas analistëve të KIPRED-it, Perëndimi është lodhur me problemet në Ballkan dhe sipas parashikimeve të KIPRED-it, është duke ndodhur një presion ndërkombëtar për krijimin e një qeverie të re në Kosovë, mes koalicionit PDK-AAK, apo ndryshe të quajtur si “UÇK- Qeveria”.

(E plotësuar) Veriu i Kosovës po shkon kah një autonomi apo i ashtuquajturi “Ahtisari Plus”, kështu mendojnë analistë nga institutit KIPRED. Njoftimi i Grupit Ndërkombëtar Drejtues se procesi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës do të përfundojë kah mesi i shtatorit të këtij viti, lë të hapur problemin e pjesës veriore të Kosovës. Skenarët e përmendur për veriun rrezikojnë të prishin funksionalitetin e Kosovës si shtet normal dhe mund të kenë efekte negative tek fqinjët e Kosovës, në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni.

Ky është përfundimi që nxjerr analiza politike “Autonomia për Pjesën Veriore të Kosovës: Shpalosja e Skenarëve dhe Pasojat për Rajonin” e publikuar të mërkurën, nga KIPRED, e ku analizohet ideja e hedhur rishtazi që problemi i veriut të zgjidhet në dialogun e ardhshëm politik mes Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet një pakoje “Ahtisari Plus”, e cila do t’ia jep kësaj pjese të shtetit një autonomi shtesë.

Sipas analistëve të KIPRED-it, Perëndimi është lodhur me problemet në Ballkan dhe sipas parashikimeve të KIPRED-it, është duke ndodhur një presion ndërkombëtar për krijimin e një qeverie të re në Kosovë, mes koalicionit PDK-AAK, apo ndryshe të quajtur si “UÇK- Qeveria”, e cila siç mendojnë ndërkombëtarët mund të jep autonominë për veriun pa pasoja të brendshme.

Njëri nga autorët e kësaj analize, Ilir Deda, nga KIPRED, i cili më parë ishte njëri nga udhëheqësit e partisë së dështuar Fryma e Re dhe më pas ish-këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga, duke folur për analizën rreth efekteve negative që mund të sjell autonomia për veriun, ka thënë se nëse kjo ndodhë atëherë pasojat do të vërehen jo vetëm në vend, por edhe më gjerë, duke mos përjashtuar edhe trazira të mundshme në mbar rajonin. Deda, thotë se Perëndimi është duke menduar për krijimin e një qeveri të re në Kosovë, e cila do të pranojë më lehtë autonominë e veriut pa pasoja të brendshme.

“Në lidershipin politik nuk ekziston vullneti politik për t’u parandaluar autonomia në veri, për këtë e kemi edhe një presion ndërkombëtar që të krijohet një qeveri e re, apo siç e thonë vet ndërkombëtarët “UÇK- Qeveria”, e cila do të përbëhet prej PDK-së dhe AAK-së, sepse ata mendojnë se kjo qeveri mundet me e dhanë autonominë pa pasoja të brendshme. Ky është një gabim jashtëzakonisht i madh i Perëndimit dhe është një fatkeqësi shumë e madhe që bashkësia ndërkombëtare, e cila që 20 vite është duke u marrë me rajonin, nuk ka arritur të mësojë që zgjedhjet e shpejta afatshkurtra nuk prodhojnë stabilitet”, ka thënë Deda.

Sipas tij, këto zgjedhje të shpejta dhe afatshkurtra në rajon prodhojnë jo stabilitet në shtigje afatmesme dhe afatgjata, siç thotë ai, shembull eklatant është Bosnja, Maqedonia, por edhe vetë Kosova.

Ndërkaq, Shpend Kursani, bashkë autor i analizës, ka thënë se Kosova ka bërë shumë kompromise me Serbinë, andaj sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që kjo qeveri të bëjë kompromise me shtetin e Serbisë edhe sa i përket çështjes së veriut. Si një sinjal për një kompromis të tjetër, Kursani ka përmendur edhe takimin Thaçi-Tadiq në Dubrovnik të Kroacisë.

“Si simbolik unë mund t’ju përmendi takimin e Thaçit me Tadiqin, ajo më së miri e shpjegon zgjedhjen përfundimtare të veriut të Kosovës, ku edhe këtu dua të ndërlidhem me përkrahjen që komuniteti ndërkombëtar po ia jep Tadiqit dhe që po e mban si një person kredibil dhe legjitim me u marr me Kosovë. Duarshtrengimi i Tadiqit me Thaçin e tregon zgjedhjen e fundit të veriut, ku katër pikat e Tadiqit takohen me Planin Ahtisarit, e do të gjendet një mes, e ai mes është autonomia për veriun e Kosovës”, ka thënë Kursani.

Sipas Kursanit, kjo zgjedhje e mundshme për veriun do të çonte tek krijimi i një shteti me dy entitete të ndara mes serbeve dhe shqiptarëve, që do ta bëjë shtetin jo funksional, siç është shembulli i Bosnjës. Sipas tyre, kjo do të sillte deri te shpërngulja e serbeve nga jugu për në veri të Kosovës dhe Serbi, si dhe shpërngulja e 4000 shqiptarëve të mbetur në veri, drejt jugut. Si rezultat i gjithë kësaj, pakënaqësitë mes shqiptarëve të Kosovës do të rriten, gjë që nuk do ta lë pa prekur Luginën e Preshevës, Maqedoninë dhe Bosnjën.

“Autonomia në veri do të ndikoj që shteti i Kosovës të ketë dy pjesë me dy etni të ndryshme, serbë në veri dhe shqiptarët në jug, do të këtë shpopullim të serbëve nga jugu në veri, dhe shqiptarëve të mbetur në veri, në jug të Kosovës. kjo i krijon dy etnitete dhe me këtë bëhet krijimi i Bosnjës në Kosovë. Rasti i Bosnjës është rasti i një shteti më të dështuar dhe jo funksional në botë, i cili nuk mundet me ec përpara as në BE, mu për shkak të këtyre ndasive etnike që do të bëhen edhe në Kosovë, po që se jepet autonomia për veriun”, ka thënë Kursani.

KIPRED nuk përkrah çfarëdo të drejte shtesë për veriun e Kosovës dhe është kundër asaj që veriu i Kosovës apo çfarëdo çështje e brendshme e Kosovës të jetë pjesë e dialogut politik me Serbinë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›