E Shtunë, 31 Tetor 2026

KKRT, masa ndëshkuese ndaj piraterisë televizive



Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit është i vendosur të forcojë më tej luftën kundër piraterisë në tregun e medias elektronike. KKRT kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë operatorëve rtv, në minimizimin e piraterisë në transmetimet radiotelevizive. Mbështetur në ligjin nr. 8410, datë 30.09.1998 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit ka vazhduar luftën kundër piraterisë në transmetimet radiotelevizive. Përmes një njoftimi për shtyp, KKRT bëri dje të ditur se gjatë javës së kaluar (12-19 tetor 2009), Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit ka organizuar inspektime në disa prej subjekteve televizive kabllore dhe analoge, me shtrirje në të gjithë territorin e vendit, duke synuar monitorimin e respektimit të të drejtave të transmetimit. Nga inspektimet e kryera, u vërejtën disa shkelje nga operatorë të ndryshëm televizivë, ndaj të cilëve, në përputhje me legjislacionin ne fuqi, u vendosën 5 sanksione me gjobë, ndaj operatorëve kabllorë në rrethet Vlorë, Lezhë, Elbasan. Gjithashtu, ndaj operatorëve të tjerë kabllorë dhe analogë të inspektuar, janë vendosur 10 sanksione me paralajmërim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›