E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD: Gjykatat më të besueshme se Qeveria dhe Kuvendi



Laureta Rryçi

Tiranë - Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mënyrë të vazhdueshme ka ndjekur me vëmendje rezultatet e deklaruara të sondazhit mbi korrupsionin në sektorin publik, cituar edhe nga përfaqësuesi diplomatik i SHBA, ambasadori Xhon Uithers, vetëm një ditë më parë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë deklaroi zëvendës Kryetari Kreshnik Spahiu, si një ndër organet kushtetuese që monitoron sektorin e drejtësisë shqiptare dhe si autoritet përgjegjës mbi 30 gjykata kombëtare, rikonfirmon ndjeshmërinë e tij të plotë ndaj problemeve të shoqërisë shqiptare lidhur me sistemin gjyqësor dhe korrupsionin brenda tij, si dhe garanton angazhimin maksimal në ngritjen e strategjive për rritjen e standardeve të drejtësisë. Mesazhet që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka transmetuar në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha aktivitetet e tij kanë qenë “konsolidimi i integritetit gjyqësor” dhe “toleranca zero ndaj abuzimit në gjykata”. Këto mesazhe janë zbërthyer konkretisht nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në përmbushje të detyrimeve të veta ligjore, në shumë objektiva si: rritja e transparencës së sistemit gjyqësor – i cili ka përfunduar në monitorim dhe kontroll të vazhdueshëm mbi veprimtarinë e të gjitha gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të Apeleve dhe të pasurive të gjyqtarëve përmirësimi i imazhit të gjykatave, – i cili ka përfunduar në një frymë të re të drejtimit gjyqësor nëpërmjet rizgjedhjes së kryetarëve të rinj në pjesën më të madhe të gjykatave të Republikës. Rritja e standardeve profesionale dhe etike – i cili ka përfunduar në procese vlerësimesh profesionale dhe etike të gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave apo deri në shkarkim nga detyra të gjyqtarëve.
Sipas Spahiut statistikat mbi perceptimin e publikut tregojnë se:
në luftën kundër korrupsionit gjykatat ndihmojnë më shumë se Qeveria dhe Prokuroria e Përgjithshme dhe që nga viti 2005 kjo ndjesi është rritur (nga 36.1% në vitin 2005 në 42.3 në vitin 2008). Treguesit mbi besimin e publikut tek sistemi gjyqësor dhe tek paanësia e gjyqtarëve në dhënien e drejtësisë janë gjithashtu në rritje që nga viti 2005 (konkretisht mungesa e besimit të publikut tek sistemi gjyqësor nga 65.5% në vitin 2005 është ulur në 59.6% në vitin 2008 ndërsa mungesa e besimit në paanësinë e gjykimit nga 56.6 % në vitin 2005 është ulur në 52.8 % në vitin 2008).

9 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›