Epoka e dosjeve të zeza
Astrit Vorbsoi
Në gjithë historinë botërore të shitjes së armëve ka një eksperiencë, e cila i ka mësuar ata që e bëjnë se, kur vendos që të bësh këtë tregti duhet detyrimisht të mbash nën kontroll një shumicë problemesh të tjera. Mosmbajtja dot nën kontroll e këtyre problemeve të tjera i detyron që të tërhiqen ata që e dëshirojnë këtë lloj tregtie. Shitjen e armëve e bën vetëm shteti se ai është pronar nëpërmjet instrumenteve më të besuara të shërbimeve të fshehta. Edhe kompanitë private shesin armë vetëm nën aprovim zyrtar shtetëror dhe nën mbrojtjen ligjore të shtetit. Pra është një biznes shtetëror në radhë të parë ku luan shteti në mënyrën më të fshehtë dhe dorën më të fortë. Kjo nënkupton si implikimin ndërkombëtar ashtu edhe fitimin shumë të madh. Pra janë vetëm pak, ata, në hierarkinë e shtetit që kanë të drejtën të firmosin një ndërmarrje të tillë me përmasa ndërkombëtare. Të gjithë të tjerët i tremben konsekuencave, prandaj dhe janë vetëm kupola që firmos urdhrat për veprime të tilla. Konsekuencat i njohin mirë ata që firmosin, por kanë në duart e tyre edhe mekanizmin mbulues në rast dekonspirimi. Kjo u jep sigurinë që hedhin firmën dhe vjelin të ardhurat. Sipas shprehjes – kanë edhe gurin edhe arrën. Aq delikat është ky aksion sa, në rast se ç’fryn nëpërmjet medias në vendet perëndimore i pari që e pëson është gazetari investigues. Dhe në perëndim ku media e ka marrë në sy një rrezik të tillë nuk mungojnë rastet e sakrifikimit të vetëdijshëm të gazetarit në interes të informimit të popullit.
Këtu tek ne as që bëhet fjalë që ndonjë gazetar të arrijë të konceptojë një scoop të tillë.
Kryeprokurorja na tha në një shpjegim së fundi se janë duke hetuar në drejtim të një piste – kush e shkaktoi zjarrin (e çuditshme mospërmendja e pistës kryesore, huri ku janë lidhur gjithë rripat e tjerë të Gërdecit).
Por kjo nuk më çudit sepse e di mirë se kur drejtuesit e qeverisë vendosin që të kryejnë këtë aksion, viktima e parë për fat të keq është E Vërteta. Përndryshe konsekuencat do të jenë më të rënda se sa arsyet që e shtyjnë drejtuesin e qeverisë në këtë shteg. Mirëpo tek ne këto gjëra nuk shkojnë sipas asaj ecurie që marrin nëpër vendet ku mbizotëron ligji. Nuk pres ndonjë gjë nga prokuroria, aq sa më qeshet kur shikoj dhe dëgjoj që ia kërkojnë prokurorisë këtë punë. Vetëm nëse dorëhiqen, çimunizohen dhe dorëzohen tek prokuroria atëherë mund të kemi ndonjë përçapje për vënie të gishtit në emrat plagë. Nuk mund të ndodhë tek ne që kryeministri të hetohet nga të pafuqishmit, kur tërë fuqinë ai, doktori, e zotëron nëpërmjet gjithë rrjetit të muskujve, bashkëpunëtorë të stërvitur nëpër ushtrime ekstreme korruptive. Po të mos dinin të vozitnin sipas stilit berishian ata nuk mund të kishin vend në varkën e timonierit Berisha. Koha kalon, përhapen nga prokuroria thashetheme të përfshirjes së emrave të krahut opozitar në rrjetin Gërdec dhe përfundimi, do jetë një dosje e zezë më shumë në mozaikun historiko - politik tranzicional shqiptar.
Njësoj si me dosjen e zezë Arsidi, do shtohet numri i viktimave të vogla për të shpëtuar Ata të tre që uzurpuan të drejtën dhe firmosën shkresën. Po ashtu si me dosjen e zezë të 1997-ës që emërtoi Zhulali i ndjerë. Kështu që në radhën e epokës demo-hermafrodite shqiptare nuk përbën eveniment një dosje më shumë e zezë dhe viktima të tjera nga radhët e zgjedhësve tanë të dashur.
Në rrjetën e ligjeve mbesin vetëm të vegjlit ndërsa dalin duke e shqyer të mëdhenjtë.
Krimi qeveritar është forma më e përsosur e krimit, realizuar në emër të popullit, me mekanizmin shtetëror, me viktimizim të popullit dhe pasurim të kryeqeveritarëve.
9 Maj 2008