Shkëmbimi i çifteve, plasin “orgjitë” edhe në Shqipëri
Në hapësirën e pamasë të internetit mund të përballesh një ditë të bukur dhe me disa dhoma tepër të rezervuara në të cilat kryhen njohjet dhe prenotohen takime “pikante” mes çifteve të martuara shqiptare. Gjithçka është në shqip dhe gjithë aktorët janë shqiptarë. Aksesi në këto dhoma është shumë i kontrolluar, e nëse dikush pretendon të bëhet pjesë e “grupit”, pikësëpari duhet t’i nënshtrohet një testimi të detajuar për të konfirmuar vërtetësinë e të dhënave që ka paraqitur. Megjithatë, nëse arrin të bëhesh pjesë e këtij komuniteti “online”, menjëherë do të zbulosh të pabesueshmen: Këto dhoma shërbejnë si pikënisje për njohje dhe takime, ndërsa e gjithë pjesa tjetër premtohet që të zhvillohet në shtrat. Për cilindo që arrin të bëhet “kofident” i personazheve të këtyre dhomave përpara syve i shfaqet gjithë intimiteti i çifteve, pasi ata nuk e kanë problem që të dërgojnë fotot e tyre. Për më tepër, bashkëbisedimi mes çifteve në këto dhoma lë të kuptohet se disa prej tyre kanë shkëmbyer eksperienca seksuale me njëri-tjetrin, ndërsa në bashkëbisedimet “online” ata i sugjerojnë, këshillojnë dhe i premtojnë njëri-tjetrit lidhur me takimet e radhës.
Loja
Nëse interneti të krijon mundësinë që të hiqesh si dikush që në të vërtetë nuk je, atëherë me të drejtë mund të vihej në pikëpyetje vërtetësia e akteve që pretendohen nga çiftet e të martuarve në këto dhoma. Në fakt, njohja me mjedisin e këtyre dhomave online tregon se ka një tendencë të pjesës dërrmuese të këtyre çifteve që shfaqen të gatshëm të kalojnë në njohje fizike duke vënë si “kolateral” të vullnetit të tyre foto nga jeta e tyre intime. Një fakt interesant është dhe prania në këto dhoma dhe e disa çifteve me shtetësi të huaj, që nga bashkëbisedimet lënë të kuptohet se kanë hyrë në kontakte fizike me çifte shqiptarësh në Shqipëri. Këta qytetarë të huaj vetëdeklarohen si banues në Shqipëri dhe të punësuar në institucione ndërkombëtare. Madje ndonjë prej tyre nuk rezervohet as të përmendë institucionin ku punon gjatë bisedave më anëtarët e besuar të dhomave pikante në internet. Përpos këtyre të dhënave ata nuk kanë shmangur edhe ndonjë foto të bërë në pika dhe vende të njohura të kryeqytetit tonë apo dhe në pikat turistike. Nuk mungojnë as çifte shqiptare, të cilat deklarohen se kanë jetuar për një kohë të gjatë në vende Perëndimore apo të tjera çifte shqiptare që janë aktivë në këto dhoma dhe deklarohen se jetojnë ende në vende të huaja.
Vetëm foto?
Nëse personazhet aktivë në këto dhoma japin prova për vërtetësinë e identitetit të tyre, është e vështirë të vërtetohet ekzekutimi i akteve seksuale mes tyre, pasi të paktën në këto dhoma aktet janë thjesht të deklaruara. Gjithsesi, i sigurt është fakti se shumë prej anëtarëve të këtyre dhomave nuk janë thjesht “sajesa”, pasi ata në shumë raste zgjedhin forma alternative për të bërë prezantimin dhe për të konfirmuar vërtetësinë e pretendimeve të tyre. Kësisoj, menjëherë pas kontaktimit ata shfaqen të gatshëm që të shfaqen në kamera si çift, nëpërmjet sistemit të komunikimit “Messenger” si hap paraprak për të kaluar në këmbimin e numrave telefonikë. Përtej këtyre të dhënave duket se i sigurt është fakti se edhe një komunitet i vockël shqiptarësh, që në rastin më të mirë përpiqen të imitojnë sjelljen e ngjashme që kryejnë dhe të huajt në dhoma angleze, franceze etj., duke kryer minimalisht shkëmbimin e fotove intime online.
Fenomeni, debate dhe kontradikta në Perëndim
Nëse sjelljet shqiptare të ”shkëmbimit” të intimitetit mes çifteve shfaqen si ”operacione sekrete” dhe shumë të kujdesshme, më shumë vende Perëndimore debati ka kapërcyer rezervimin dhe gjithçka është mëse publike. Jo vetëm kaq, por media ndërkombëtare, si BBC, “La Republica”, “Le Figaro”, “L’espresso” etj., i kanë kushtuar rëndësi fenomenit. Në Shtetet e Bashkuara ka pasur një debat shumë të zjarrtë para disa vitesh lidhur me fenomenin. Debati provokoi një ndarje në dy kampe të psikologëve dhe sociologëve, pro dhe kundër. Nëse u referohesh mediave ndërkombëtare, një pjesë e sociologëve (ata që ishin kundër) i kanë konsideruar sjelljet si anormale dhe ”abuzim me statusin e qytetarit metropolitan”, variant ky që ka në thelb idenë se me krijimin e metropoleve me disa miliona banorë, shumë individë ”lëshohen” në këto sjellje si pasojë e ”humbjes” së identitetit në këto qytete të stërmëdha. Sipas sociologëve, që nuk janë deklaruar mbështetës të këtij fenomeni, faktori ”metropol” ka ndezur statusin e anëtarit të turmës tek individët, që sipas tyre shkakton dhe një sjellje më epshore tek ta. Në të njëjtën kohë, sociologët që nuk e shohin fenomenin si problematik, shprehen se sjellje të tilla janë regjistruar që në kohët e lashta, e atëherë nuk ekzistonin metropolet me disa miliona banorë. Këta sociologë hedhin si kundërtezë monogaminë, që sipas tyre gjithnjë është shkelur, por në forma të tjera dhe jo kaq publikisht. Sipas sociologëve që nuk e shohin si problem fenomenin, dëshira për eksperienca të tjera (poligami) nuk ka ndryshuar, por vetëm mënyra e shfaqjes së saj. Pra ata pretendojnë një ndryshim në formë dhe jo në përmbajtje.
Marketingu
Përtej debatit të sociologëve për fenomenin duket se askush nuk ka pritur ”përfundimet” e këtij debati dhe shumë biznese, madje, janë ndërtuar në funksion të kësaj prirjeje. Rasti më konkret është shkëputur nga Italia fqinje, ku gazeta ”L’espresso” i ka bërë një artikull të gjerë marketimit dhe mjedisit të specializuar për këtë fenomen. Jahte speciale, klube ”Prive”, apo ishuj të tërë, të cilët krijojnë gjithë komoditetin e nevojshëm për ato çifte që tejkalojnë barrierat e monogamisë. Por ndërsa këto biznese të specializuara ”relaksi” kanë natyrë turizmi, në Europën mbarë gjenden dhe biznese të specializuara për të ofruar komoditetin e nevojshëm gjatë gjithë vitit. ”Këto biznese të kultivuara në Angli, Spanjë, Itali, Gjermani etj., janë të përqendruara në shërbimet e një relaksi nudist, ndërsa shërbimi për çiftet që nuk i tremben mëkatit tarifat janë më të kripura, ndërsa shërbimi është edhe më i rafinuar. Ky shërbim përfshin që nga udhëtimet e gjata me jahte, deri te ”joshja agrokulturore”, siç është rasti i një kështjelle të viteve 1800 në Malaga të Spanjës, e cila është në mes të gjelbërimit”, - shkruan gazeta ”L’espresso” lidhur me fenomenin.
9 Maj 2008