Vitet që iu duhen policëve për gradën e postit që kanë aktualisht
Laureta Rryçi
Tiranë - Ligji i ri për Policinë e Shtetit ka përcaktuar qartë se kur gradat do të quhen të vlefshme për procesin e rigradimit. Këtyre rregullave do t’i nënshtrohen të gjitha strukturat e policisë, duke nisur nga polici më i thjeshtë e deri te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, mësohet se drejtoria e personelit po harton listën me gradat dhe pozicionet që kanë gjithsecili në strukturën aktuale. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm vitet e punës që do iu njihen gjithsecilit për gradën që kanë marrë. Pas këtij verifikimi të gjithë mund të bëjnë një përllogaritje nëse kanë gradën e duhur për pozicionin që kanë. Nëse pozicioni është më i lartë atëherë ata rrezikojnë të humbin postin që kanë. Këtij rregulli mund t’i gëzohen pjesa tjetër që mund të kenë shumë vite pune, dhe një gradë të lartë për t’u pasur zili mirëpo nuk kanë një post.
Gradat
Sipas ligjit të ri për Policinë e Shtetit hierarkia midis punonjësve të Policisë në nivele përcaktohet sipas kësaj renditjeje: Drejtor i përgjithshëm, drejtues, komisar, inspektor.
Brenda të njëjtin nivel, hierarkia e punonjësve të Policisë përcaktohet nga grada. Hierarkia e punonjësve të Policisë me të njëjtën gradë përcaktohet nga funksioni, ndërsa për funksione
të njëjta hierarkia përcaktohet nga vjetërsia në gradë. Punonjësi i Policisë kalon nga një nivel në tjetrin vetëm pas përfundimit të shkollimit përkatës, në çastin e marrjes së gradës më të ulët të nivelit pasardhës. Për të gjithë ato uniforma blu që kanë pozicionin pa iu nënshtruar këtyre rregullave nuk do të përfitojnë nga rigradimi që pritet të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave.
Vitet e duhura
Me përjashtim të punonjësve të Policisë, grada “Nëninspektor” i jepet kursantit pas përfundimit me sukses të periudhës së shkollimit në Shkollën Bazë të Policisë. Kjo gradë, e
cila i jep punonjësit kompetenca të plota policore, mbahet nga punonjësi i Policisë gjatë periudhës së provës. Punonjësit e Policisë, të cilët konkurrojnë dhe hyjnë në Shkollën Bazë të Policisë, do të mbajnë gradën dhe pagën e tyre ekzistuese si gjatë kursit, ashtu edhe pas përfundimit të tij. Nëse punonjësi nuk e kalon kursin, ai e mban gradën dhe merr pagën përkatëse derisa të gjithë punonjësit e nivelit zbatues të kenë ndjekur Shkollën Bazë të Policisë, kohë në të cilën ai lirohet nga Policia. Ngritja në gradën “Inspektor” bëhet pas përfundimit me sukses të periudhës dyvjeçare të provës, e cila pason Shkollën Bazë të Policisë. Punonjësit të Policisë i lind e drejta të aplikojë për të konkurruar në procesin e përzgjedhjes, pas
plotësimit të kohës së qëndrimit në gradë, sipas afateve të mëposhtme: nga “Inspektor” në “Kryeinspektor” 2 vjet, nga “Kryeinspektor në “Nënkomisar” 2 vjet, nga “Nënkomisar në “Komisar” 3 vjet, nga “Komisar në “Kryekomisar” 3 vjet, nga “Kryekomisar në “Drejtues” 3 vjet, nga “Drejtues në “Drejtues i Parë” 4 vjet, nga “Drejtues i Parë” në “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm” 4 vjet, nga “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm”
në “Drejtor i Përgjithshëm” pa afat kohor. Punonjësit e Policisë që kanë përfunduar një shkollë të lartë të njohur nga shteti dhe që kanë plotësuar së paku dy të tretat e minimumit të kohës që kërkohet për qëndrimin në gradë, mund të konkurrojnë në procesin e përzgjedhjes për ngritjen në gradë nga “Inspektor” në “Kryeinspektor” dhe nga “Kryeinspektor” në “Nënkomisar”. Në vjetërsinë për efekt gradimi do të llogaritet edhe koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të: paaftësisë së përkohshme shëndetësore, si pasojë e sëmundjes apo dëmtimit për shkak të punës; paaftësisë shëndetësore, e cila nuk ka ardhur si pasojë e punës deri në 6 muaj brenda afatit 12-mujor; ushtrimit të funksioneve, sipas nenit 45 të këtij ligji; pezullimit apo përjashtimit për shkaqe disiplinore, si rezultat i një urdhri ose vendimi të paligjshëm dhe/ose të padrejtë; pezullimit me pagesë deri në përfundimin e hetimit të një kallëzimi ose një ankese për sjellje në kundërshtim me Rregulloren e Disiplinës, derisa autoriteti kompetent të marrë vendimin përfundimtar për çështjen.
Në vjetërsinë për efekt gradimi nuk do të llogaritet koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të: lejes së përfituar pa të drejtë pagese.
Gradat
1. Emërtimet e gradave, sipas niveleve dhe ecurisë në karrierë, janë:
a) Punonjës policie i nivelit zbatues:
i) Nëninspektor;
ii) Inspektor;
iii) Kryeinspektor.
b) Punonjës policie i nivelit të parë drejtues:
i) Nënkomisar;
ii) Komisar;
iii) Kryekomisar.
c) Punonjës policie i nivelit të mesëm drejtues:
i) Drejtues;
ii) Drejtues i Parë.
ç) Punonjës policie i nivelit të lartë drejtues:
i) Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm;
ii) Drejtor i Përgjithshëm.
2. Gradat, sipas pikës 1 shkronja “ç” të këtij neni, janë funksionale. Këto grada merren nga punonjësi i
Policisë në çastin e emërimit në detyrat e Drejtorit ose Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë,
sipas neneve 20 pika 1 dhe 23 pika 2 të këtij ligji dhe lihen me largimin nga këto detyra. Në këto raste
punonjësi i Policisë rimerr gradën “Drejtues i Parë” dhe vjetërsia në gradë, gjatë kohës që ka pasur
funksionet e përcaktuara në pikën 1 shkronja “ç” të këtij neni, llogaritet si vjetërsi në këtë gradë.
Fitimi i gradës
1. a) Ngritja në gradë e punonjësit të Policisë nënkupton ngritjen e tij në detyrë, sipas tabelës së funksioneve
korresponduese për çdo gradë, sipas nenit 39 të këtij ligji. Ngritjet në gradë bëhen vetëm për të
plotësuar vendet e lira për çdo gradë. Në urdhrin për ngritje në gradë, autoriteti përgjegjës përcakton
gjithashtu funksionin përkatës të punonjësit të Policisë.
b) Punonjësit e Policisë mund të ngrihen në gradë vetëm pasi të kenë përfunduar me sukses kursin e trajnimit
përkatës për atë gradë.
c) Punonjësit e Policisë zgjidhen për të ndjekur kursin e trajnimit, duke u bazuar në listën emërore të së
drejtës për gradë, të hartuar pas procesit konkurrues.
ç) Pas përfundimit me sukses të trajnimit, përzgjedhja për ngritje në gradë bëhet sipas listës emërore të
së drejtës për gradë, të përcaktuar në pikën 1 shkronja “c” të këtij neni.
2. a) Ngritja në gradën “Inspektor” kryhet me urdhër të drejtorit të Policisë së qarkut, sipas kritereve të
përcaktuara në nenin 41 pika 4 të këtij ligji.
b) Ngritja në gradën e “Kryeinspektorit” dhe të gjitha gradat në nivelin e parë dhe të mesëm drejtues
bëhen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, sipas kritereve të përcaktuara në nenin 41 të
këtij ligji.
c) Ngritja në gradën e nivelit të lartë drejtues bëhet në përputhje me nenet 20 pika 1 dhe 23 pika 2 të
këtij ligji.
3. a) Numri i përllogaritur për vendet e lira njoftohet brenda datës 31 mars të çdo viti.
b) Kuotat e pranimit në trajnim për secilën gradë përcaktohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, por
nuk kalojnë:
5 për qind mbi vendet e lira të përllogaritura për ngritjen në gradën e “Kryeinspektorit”;
10 për qind mbi vendet e lira të përllogaritura për gradat e nivelit të parë drejtues;
15 për qind mbi vendet e lira të përllogaritura për gradat e nivelit të mesëm drejtues.
9 Maj 2008