Ministria e Shëndetësisë: ”Së shpejti talasemia sëmundje e kurueshme”
Jonida Tashi
Mjekët, dje, në Ditën Botërore të Talasemisë dhanë shpresa se së shpejti do të gjendet një kurë për të sëmurët që vuajnë nga talasemia. Specialistja e gjakut në Ministrinë e Shëndetësisë, Vjollca Duro, shprehet se me hapat që janë bërë vitet e fundit për diagnostikimin dhe mjekimin e kësaj sëmundjeje, japin shpresa se në një ditë të afërt do të arrihet të gjendet një kurë edhe për talasemikët. Aktualisht, gjaku i sigurt është mjeti i parë për të ndihmuar fëmijët dhe të gjithë personat e prekur nga sëmundja e anemisë mesdhetare, e njohur ndryshe si talasemia. Ky është edhe apeli që Ministria e shëndetësisë ka bërë dje për të sëmurit dhe të afërmit e tyre, në ditën Botërore të Talasemisë. Specialistja e gjakut, Vjollca Duro, vlerësoi se gjaku i sigurt është ndihma më e mirë për talasemikët. E pranishme në takimin “Talasemia nuk ka kufij moshe”, zhvilluar nga Shoqata e Talasemikëve shqiptarë me rastin e kësaj dite, Duro u shpreh se talasemia nuk është vetëm një problem mjekësor, por edhe një problem social për pacientët, familjen dhe shoqërinë. Ajo e cilësoi këtë sëmundje si specifike për vendin tonë, ndërsa theksoi, se puna për të mposhtur talaseminë fillon me përmirësimin e trajtimit dhe përhapjen e informacionit mbi këtë sëmundje. Në takim ishin të pranishëm persona të prekur nga anemia mesdhetare, të afërmit e tyre, specialistë të kësaj fushe dhe përfaqësues të Shoqatës së talasemikëve shqiptarë.
Diagnostikimi
Diagnostikimi dhe depistimi në kohë i talasemisë është mënyra më efektive për parandalimin e kësaj sëmundjeje. Ky ishte mesazhi që përcolli dje, Liri Berisha, bashkëshortja e Kryeministrit dhe njëherësh presidente e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione”, gjatë takimit “Talasemia nuk ka kufij moshe”. Duke përshëndetur veprimtarinë dhe misionin e kësaj Shoqatës Kombëtare të Talasemisë në luftën kundër kësaj sëmundje, Liri Berisha, u shpreh se për parandalimin e anemisë mesdhetare kërkohet angazhim nga punonjësit e shëndetësisë në rrjetin e qendrave shëndetësore dhe konsultoreve të nënës dhe fëmijës, institucioneve të shëndetit publik në mbarë vendin dhe përmirësimi i programeve të edukimit shëndetësor në shkolla. Shoqata
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Talasemikëve Shqiptarë, Musa Zenelaj, bëri të ditur se lidhur me trajtimin mjekësor të sëmundjes, pavarësisht hapave pozitivë, si përfshirja e medikamentit exjade në listën e barnave të rimbursueshme, ngritja qendrës në Lushnjë, realizimi me sukses i disa transplantimeve të palcës së kockës dhe terapive të tjera bashkëkohore, nevojitet dhe forcimi i laboratorëve në spitalet publikë. Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione”, i themeluar në 13 tetor të vitit 1996 në vendin tonë, ka si prioritet të veprimtarisë së saj dhe mbështetjen e të sëmurëve me talasemi. Një vit më parë fondacioni mbështeti me një fond prej 100 mijë USD ngritjen qendrës rajonale në Lushnjë që asiston të gjithë fëmijët e sëmurë me tasalemi nga zona e Lushnjës, Fier, Berat, Vlorë që përbëjnë dhe zonën kryesore të bartësve dhe shfaqjes së patologjisë së talasemisë. Fjala “talasemi” e ka prejardhjen nga greqishtja e vjetër dhe do të thotë “sëmundje e Detit Mesdhe”. Talasemia është sëmundje gjenetike që shkaktohet nga mungesa, ose nga pakësimi i prodhimit të vargjeve të hemoglobinës. Shqipëria si vend mesdhetar, ka një përqindje të lartë të të sëmurëve të kësaj sëmundjeje. Në spitalet e vendit, trajtohen 450 të sëmurë dhe studimet tregojnë se 8-10 për qind e popullatës janë përcjellës, me përqindje më të lartë në zonat Divjakë dhe Çermë.
IDEA i paraqet qeverisë propozimet uljen e papunësinë
Instituti IDEA, ka organizuar dje, një tryezë të rrumbullakët në lidhje me çështjen e papunësisë në Shqipëri dhe emigracionit. Në këtë takim ky institut i ka paraqitur qeverisë edhe propozimet e tij për zgjidhjen e këtij problemi tepër shqetësues për shoqërinë shqiptare. Gjatë takimit referuan përfaqësues të këtij instituti, Dorjan Duçka, Panajot Soko, Erjona Alimani, Emanuela Pepkola dhe Juliana Hoxha. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare, deputetë etj.
Gjatë fjalës së tyre në këtë takim, përfaqësuesit e Institutit IDEA nënvizuan problematikën shqetësuese që ekziston në Shqipëri, përsa i përket nivelit të lartë të papunësisë dhe varfërisë. Një tjetër temë e rëndësishme ka qenë ajo e emigrimit, ku përfaqësuesit e IDEAS kanë dhënë disa propozime përsa i përket emigracionit sezonal. Propozimet e IDEA-s kanë qenë: Qeveria shqiptare duhet të fillojë të negociojë jo vetëm me vendet fqinje por edhe me vendet e tjera të BE; Nga ETF rezulton se BE ka nevojë të madhe për aftësi profesionale në tregun e punës duke qenë se këto vende janë duke u përballur me një mungesë të njerëzve me aftësi profesionale brenda vendit; Përveç Strategjisë Kombëtare, është i nevojshëm pasurimi i legjislacionit dhe institucioneve qeveritare, të cilat do të lehtësonin procedurat dhe do të ushtrojnë presion në implementimin e procesit. Gjithashtu, Instituti IDEA ka dhënë edhe disa rekomandime të tjera përsa i përket kësaj çështje; Në mënyrë që të shmanget problemi i moskthimit të emigrantëve pas përfundimit të kontratës së tyre të punësimit, vendet pritëse mund t’i përfshijnë këta njerëz në listën e personave të padëshiruar (të interesuarit duhet të njoftohen më parë për pasojat). Për të njëjtin qëllim, personat më korrekt ndaj të gjitha detyrimeve kundrejt kontratave të emigrimit, të trajtohen si preferencialë në aplikimet e tjera të mundshme; Transferimi i të drejtave për pension, sigurime shëndetësore nga vendet pritëse në vendet dërguese do të rezultonte si shumë përfitues dhe do të inkurajonte kthimin në atdhe të emigrantëve (pra skema nxitëse dhe fleksibël për emigrantët që kthehen).
9 Maj 2008