Trajnim për mësuesit e shkollave teknike ekonomike dhe hoteleri-turizmit
Fondacioni “Arsimimi i të Rriturve në Shqipëri"( PARSH), në bashkëpunim me Sektorin e Arsimit Profesional dhe të Rriturve në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Shkollën Teknike-Ekonomike të Tiranës, në kuadër të një projekti të financuar nga Fondi i Inovacionit të Komisionit Europian, ka organizuar në ndihmë të shkollave Teknike Ekonomike dhe Hoteleri-Turizëm një cikël trajnimesh për mësuesit e këtyre shkollave. Sipas MASH-it, përmes këtij programi janë trajnuar rreth 30 drejtues të shkollave dhe mësues specialistë nga shkollat teknike në vend. Trajnimi i mësuesve të shkollave teknike u shoqërua nga testimi i pjesëmarrësve pas çdo seminari, ku në bazë të rezultateve të arritura ata fituan certifikatat europiane, për të gjithë modulet e përfshira në trajnim, ndërsa disa nga pjesëmarrësit në trajnim u certifikuan në një nivel më të lartë me Çertifikatën Europiane XPERT-Personal Busines Skills PRO. Këto certifikata, që njihen në vendet e BE-së, u japin të drejtë drejtuesve dhe mësuesve tanë të ndjehen të barabartë me homologët e tyre europianë dhe të kenë të drejtën për përdorimin e njohurive të këtyre moduleve dhe për pasurimin e kurrikulit të shkollave teknike ekonomike e hoteleri-turizëm.
Elbasan: Dje, Dita Botërore e Kryqit të Kuq
Një ekspozitë me vizatime të nxënësve të shkollave 9 vjeçare, ka çelur dje, aktivitetet në qytetin e Elbasanit, në kuadër të 8 majit, Ditës Botërore të Kryqit të Kuq. Administratorja e degës së Kryqit të Kuq në Elbasan, Griselda Pepa, u shpreh se gjatë ditës së djeshme u shpallën tre çmime për punimet më të mira të nxënësve të shkollave të qytetit. Ndërsa 10 punimet më të mira të nxënësve janë dërguar në ekspozitën kombëtare, që u zhvillua dje në Galerinë e Arteve në Tiranë, me rastin e Ditës Botërore të Kryqit të Kuq. Pjesë e aktiviteteve ishte edhe fushata për mbledhjen e sa më shumë donacioneve, ku vullnetarët të Kryqit të Kuq, të ndarë në grupe u janë drejtuar institucioneve të ndryshme të biznesit, kompanive private etj. Shuma e grumbulluar do të depozitohet në qendrën ditore, që funksionon pranë degës së Kryqit të Kuq, e cila frekuentohet çdo ditë nga më shumë se 50 të moshuar të braktisur.
Përfundon rikonstruksioni i kompshti Nr.26
Kopshti Nr. 26, i cili ndodhet në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, tashmë është tërësisht i rikonstruktuar me ambiente të standardeve bashkëkohore. Kjo falë një investimi prej rreth 15 milionë lekësh te reja nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e ambienteve të këtij kopshti, u shpreh për mediat se: “Në fakt planet janë si vizatimet e fëmijëve, por që të kthehen në vepra duhet punë dhe kohë”.
Projekti i realizuar është një godinë, ku shtesat të cilat shkojnë në harmoni me godinën ekzistuese paraqesin ambiente të sistemuara me kujdes duke krijuar kushte optimale për mirërritjen e fëmijëve të kësaj zone të kryeqytetit.
Elbasan: Fushatë këshillimi për Maturën Shtetërore
Drejtoria rajonale e Arsimit në Elbasan ka nisur një fushatë këshillimi për gjimnazistët që do t’i nënshtrohen këtë vit provimeve të Maturës Shtetërore, me synim që ata të përzgjedhin degën e duhur për studimet e lara. Drejtori rajonal i Arsimit në Elbasan, Kujtim Mema, sqaroi se tashmë ka përfunduar faza e plotësimit të formularit A1 dhe është në përfundim ajo e plotësimit të formularit A2. Në bazë të udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, specialistë të arsimit në Elbasan po zhvillojnë seanca dhe takime të veçanta me nxënësit për plotësimin e formularit A2, ku do të renditen dhjetë preferencat për ndjekjen e studimeve të larta.
9 Maj 2008