KLD: Kontrolle të posaçme gjyqtarëve që kanë në dorë çështje të rëndësishmeNga Tema Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur që të bëjë kontrolle të posaçme për të verifikuar rregullsinë e proceseve gjyqësore që kanë ndjeshmëri të larta pë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
KLD: Kontrolle të posaçme gjyqtarëve që kanë në dorë çështje të rëndësishmeNga TemaKëshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur që të bëjë kontrolle të posaçme për të verifikuar rregullsinë e proceseve gjyqësore që kanë ndjeshmëri të larta për opinionin publik. Pas pushimit të çështjeve ndaj Fatmir Mediut dhe Lulzim Bashës dhe pas zgjatjes së pafund të disa proceseve të rëndësishme ndaj bandave të njohura kriminale, KLD diskutoi dje në lidhje me nevojën e inspektimeve për gjyqtarët. Sipas KLD është e nevojshme të shihen rastet kur ka trajtime të ndryshme për raste analoge. Kështu ndodhi me Gjykatën e Lartë, e cila vendosi që të pushojë çështjen për ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha, në një kohë kur për këtë çështje kishte dhënë vendim të ndryshëm për një person tjetër.
KLD ka bërë kujdes që mes dy inspektorateve që kontrollojnë gjykata, njëri në varësi të KLD e tjetri në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, të ketë koordinim pune. Shpesh në kritikat që kanë bërë ndërkombëtarët kanë theksuar faktin se këto dy inspektorate dublojnë njëri-tjetrin e pengojnë punët.
“Rëndësia e një inspektimi të mundshëm u diskutua në prizmin e bashkëpunimit midis Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe atij të Ministrisë së Drejtësisë, referuar veçanërisht disa proceseve penale, kohëzgjatja e të cilave rrezikon afatet e paraburgimit, si dhe trajtimit të diferencuar të rasteve analoge nga gjykatat”, - thuhet në njoftimin e djeshëm të KLD.
Po dje, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në kushtet e situatës së re të organikave të gjykatave krijuar me dekretin e Presidentit të Republikës “Për caktimin e numrit të gjyqtarëve për çdo gjykatë të Shkallës së Parë dhe të Apelit”, vendosi metodologjinë e plotësimit të vendeve vakante që do të krijohen në gjykatat e Shkallës së Parë në bazë të efekteve të dekretit, duke vlerësuar si në përputhje me ligjin, transferimin pa pëlqim të gjyqtarëve për efekt të nevojave të riorganizimit të sistemit gjyqësor. Po për këtë çështje u vendos dhe përcaktimi i kritereve për lëvizjen e gjyqtarëve me procedurën e mësipërme të transferimit duke i dhënë prioritet rritjes së cilësisë së gjykimit dhe gjykatave, emergjencave të transferimit në disa prej gjykatave kryesore për efekt të ngarkesës së punës dhe radhës së transferimit sipas kategorive të subjekteve në sistemin gjyqësor.
Dje u miratua dhe rregullorja e re e Administratës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Gjithashtu, po në mbledhjen e djeshme Këshilli, konform kritereve dhe procedurave të parashikuara me ligj, emëroi 5 inspektorë pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Topi: Ndëshkime të rrepta atyre që japin vendime të deformuara për shkak të interesave personale
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, tha dje në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë se KLD do të marrë vendime shumë të rrepta ndaj gjithë atyre që japin vendime të deformuara për shkak të interesave personale.
“Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, është çështja e influencave në sistemin e drejtësisë. Këtë po e bëj publike, natyrisht jo me emra të veçantë. Si President i Republikës, si kryetar i KLD, natyrisht që kam shumë kontakte me qytetarët, ku ankohen për ndërhyrje, për deformime në ndonjë rast edhe të proceseve në favor të iksit apo ipsilonit. Po bëj një thirrje që nëpërmjet jush, t’u adresohet të gjithë punonjësve që punojnë, qoftë në sistemin e prokurorisë, qoftë në sistemin e gjykatave që të hedhin poshtë çdo lloj tentative për influenca, ku disa persona marrin dhe rolin e sekserëve duke përdorur dhe emra individësh që mund të jenë në pushtet! Ju bëj thirrje që të mos operoni në mënyrë informale!
Kjo është kategorike, përndryshe KLD për çdo rast, do të marrë vendime shumë të rrepta dhe gjithë gjykatësit, edhe për prokurorët natyrisht në vendet që merren me çështjet e prokurorisë, për të gjithë ata persona që deformojnë proceset në favor të gjykimeve subjektive dhe interesave ekonomike të dikujt”, - tha Topi.
Duke folur në lidhje me nevojën e kontrollit ndaj gjyqtarëve për çështje të ndjeshme për publikun, Topi tha se duhet të ketë një koordinim mes punës së dy inspektorateve, atij të KLD dhe të Ministrisë së Drejtësisë.
“Gjithashtu më lejoni që të ndaj me ju sot të gjithë preokupimin e shprehur në mënyrë konstante për nevojën e bashkëpunimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me Ministrinë e Drejtësisë, sidomos në linjën e funksionalitetit të dy inspektorateve që ekzistojnë mbi bazën e ligjit: Inspektoratit të KLD dhe Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë për kontrollin e punës së gjykatave. Padyshim është gjë shumë e rëndësishme që çdo kontroll ka linjën e tij specifike, por gjatë bashkëpunimit natyrisht do të dalin nevoja shumë të rëndësishme për ta sinkronizuar pozicionin e supervizionit nëpër gjykata, për të përmirësuar disa elementë të punës në të kaluarën, kur pozicione të ndryshme, ndonjëherë edhe me përmbajtje të elementëve subjektivë kanë rritur presionin nëpër gjykata”, - tha Topi.
“Ne duhet të jemi jashtëzakonisht të vendosur, duhet të jemi shumë të fortë, duhet të jemi shumë korrektë për të gjitha çështjet me një ndjeshmëri të lartë publike që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, me grabitjet, me trafiqet, me njerëz që sot janë përballë me drejtësinë, por edhe me ata që nuk janë ende të kapur për t’iu drejtuar strukturave gjyqësore. Kjo duhet të rrisë ndjeshëm ndjeshmërinë tonë si përfaqësues të institucioneve të ndryshme në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në të gjithë strukturat e shtetit, por në radhë të parë në Inspektoratin që vjen nga KLD, nga Ministria e Drejtësisë. Të punojmë së bashku për një kontroll rigoroz të të gjithë trupave gjyqësore që sot kanë çështje shumë të rëndësishme, me personazhe shumë të rëndësishëm të botës së krimit për të parë transparencën e verifikimit dhe transparencën e gjyqit, për të qenë korrektë me publikun, korrektë me njerëzit që kërkojnë drejtësi, korrektë me njerëzit që i kanë sytë te drejtësia. Kjo është shumë e rëndësishme.”