E Diel, 1 Nëntor 2026

Teksti i historisë në gjimnaz: Berisha hapi një epokë të re për Shqipërinë në vitin 2005Nga TemaViti 2005 ishte fatlum për shqiptarët, për shkak se në pushtet erdhi sërish Sali Berisha. Flamuri antikorrupsion i printe atij dhe Berisha hapi një epokë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Teksti i historisë në gjimnaz: Berisha hapi një epokë të re për Shqipërinë në vitin 2005Nga Tema

Viti 2005 ishte fatlum për shqiptarët, për shkak se në pushtet erdhi sërish Sali Berisha. Flamuri antikorrupsion i printe atij dhe Berisha hapi një epokë të re për zhvillimin e Shqipërisë.

Nuk janë fjalë që dalin nga një plenum komunist, janë pjesë nga teksti i historisë së gjimnazit, që flet për periudhën e tranzicionit shqiptar.

Këtë duhet të mësojnë fëmijët shqiptarë, që vetëm pas një viti hedhin votën në kuti.

Teksti, i shkruar me një gjuhë rruge, është një krim që i bëhet historisë. “Fatos Nano erdhi në pushtet, dhe pati një valë të paparë korrupsioni dhe trafiku”, - shkruhet në libër.

“Në zgjedhjet e vitit 2001 përsëri në pushtet erdhën socialistët, nën drejtimin e Fatos Nanos, i cili u bë sërish kryeministër. Por vendin e përfshiu një valë e paparë korrupsioni, trafiku dhe një gjendje e madhe pasigurie, ndonëse Shqipëria kishte filluar rrugën drejt NATO-s dhe MSA (Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit) për në BE. Ekonomia ecte ngadalë. Biznesi nuk ecte me hapat e duhur. Kreditimi i ekonomisë nuk i përshtatej ende nevojave të zhvillimit. Kjo gjendje solli që në zgjedhjet e vitit 2005 të fitonte PD dhe të vinte sërish në pushtet Sali Berisha, i cili me projektet për luftën antikorrupsion, me flamurin e luftës kundër krimit të organizuar dhe me një program për zhvillimin e shpejtë të ekonomisë çeli një epokë të re zhvillimi në vendin tonë”, - thuhet në tekstin e historisë.

Në lidhje me këtë tekst të historisë ka reaguar Partia Socialiste, e cila, përmes deputetes Ledi Shamku, kërkoi që autorët e tekstit të kërkojnë falje publike dhe të shkarkohen nga funksionet drejtuese. Shamku tha se prandaj PS nuk hyn në Kuvend, sepse duhet të mbrojë vendin nga instalimi i një diktature.

“Sali Berisha do të vendosë sërish diktaturën në Shqipëri. Libri i Historisë së gjimnazit këtë vit dëfton se si studiuesit karagjozë e puthadorë të këtij diktatori po u vjedhin shqiptarëve historinë, duke i sajuar faktet e tranzicionit ashtu siç i do oreksi i sulltanit më të ri të Shqipërisë, të Nëntëdhjeteshtatës dhe Nëntëdhjetetetës, i shpërthyesit të korrupsionit vrastar të Gërdecit dhe i dhunuesit tashmë të përhershëm të lirisë zgjedhore. Ky tekst molepsës rreket t’u mbushë mendjet gjimnazistëve se “në 2005 Sali Berisha çeli një epokë të re për vendin”. Në krye të autorëve të këtij teksti është sahanlëpirësi i regjimeve, z. Beqir Meta, sot nëndrejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Kështu pra, shkrimi i historisë ka kaluar nga diktati i Enver Hoxhës në diktatin e Sali Berishës, pa ndërruar shkrues, duke marrë edhe aprovimin e Ministrisë së Arsimit për të helmuar mendjet e gjimnazistëve me shpifje dhe urrejtje.

Çfarë treguesish duhet të presim më?!

Çfarë duhme ka tjetër diktatura, përveçse si kjo që po na mbulon?!

Partia Socialiste kërkon sot tërheqjen e menjëhershme të këtij teksti të turpshëm nga tregu dhe nga të gjitha shkollat e vendit.

E jo vetëm kaq, Partia Socialiste kërkon që autorët e kësaj paçavureje të shkarkohen nga funksionet drejtuese e të kërkojnë falje publike - sikundër ndodh në botën e qytetëruar në raste të tilla flagrante, dhe këta pseudo-studiues karagjozë mos lejohen më të përgatisin tekste shkollore.

Ja pra, pse Partia Socialiste nuk mund të hyjë në Kuvend! Nuk mund të hyjë, sepse shoqëria shqiptare duhet mbrojtur nga thonjtë e këtij diktatori në instalim, i cili, pasi u vodhi shqiptarëve votat, tash po orvatet t’u vjedhë edhe historinë”, - tha Shamku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›