E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish të dënuarit politikë çojnë ligjin në Kushtetuese

Shoqata e të denuarve politikë ka ankimuar ligjin “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë” si antikushtetues

Ligji “Për dëmshpërbimin e ish të dënuarve politikë të rregjimit komunist” përfundon në Gjykatën Kushtetuese. Shoqata e të dënuarve politikë ka ankimuar si antikushtetues ligjin e miratuar nëntorin e shkuar me argumentin se ai nuk respekton parimet e ligjit themeltar të shtetit si dhe nuk përputhet me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe as me Rezolutën e Keshillit të Europës për Dënimin e Krimeve Komuniste. Ish- të dënuarit nëpërmjet një letre zyrtare drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ku nuk mungon edhe shprehja e pakënaqësisë për trajtimin prej qeverisë demokrate, kërkojnë gjykatës që ta deklarojë ligjin në kundërshtim me Kushtetutën.

Argumentet

Në relacionin që shoqëron kërkesën, Shoqata e ish të Dënuarve Politikë denoncon që në krye të saj kompetencat që ligji i ka dhënë komisionit qeveritar për dëmshpërblimin e viktimave të sistemit komunist. Ish të përndjekurit vlerësojnë se ky komision i ka dhënë të drejta vetes që në mënyrë antikushtetuese të bëjë veçimin nga e drejta për të fituar dëmshpërblim të rreth 4 mijë të pushkatuarve pa gjyq, duke i njohur këtë të drejtë vetëm 2 mijë prej tyre dhe pikërisht atyre që janë pushkatuar me gjyq brenda periudhës 30.11.1944 dhe 01.10.1990. Pala ankimuese vlerëson se ky veprim është arbitrar dhe i kundraligjshëm pasi ekzekutimi për motive politike i atyre 4 mijë të pushkatuarve pa gjyq është vërtetuar më parë nga një komision trepalësh i caktuar nga qeveria. “Tani ky komision anonim, pa pjesëmarrjen e përfaqsuesve të grupeve të interesit, i zhvesh ata nga të drejtat e ligjshme dhe i kthen përsëri në armiq të popullit. Heqja nga lista e kësaj kategorie të pushkatuarish le për të dyshuar se një veprim i tillë është i qëllimshëm për fshehjen e krimeve të komunizmit, gjë që ngarkon me përgjegjësi penale ish-Ministrin e Drejtësisë Ilir Rusmajli”, - thuhet në relacionin shoqërues, të cilët pretendojnë se me këtë veprim është shkelur neni 44 i Kushtetutës i cili garanton rehabilitimin dhe çdemtimin e ish-të denuarve politikë dhe familjarëve të tyre.

Masa e shpërblimit

Një tjetër pikë të cilën ish të dënuarit politikë e konsiderojnë antikushtetuese është edhe ajo që përcakton masën e dëmshpërblimit të familjarëve të të pushkatuarve. Sipas ligjit aktual masa e dëmshperblimit për të pushkatuarit është llogaritur sa tetë vjet burg, ndërkohë që çdo ditë burg është llogaritur në masën e 2 mijë lekëve të reja. Ky përcaktim gjykohet nga pala paditëse si antikushtetues pasi nuk bën një vlerësim të jetës së njeriut pa patur asnjë referencë ligjore. Për këtë qëllim të dënuarit politikë kërkojnë që masa e demshpërblimit për jetën e një të pushkatuari të jetë e barabartë me dëmshpërblimin e 25 viteve burg, si një masë denimi e përafërt me denimin kapital. Gjithashtu shoqata që ka bërë ankimimin pretendon se ligji nuk ka llogaritur veçmas kohën e paraburgimit të të ish burgosurve politikë, siç e përcakton Neni 57 i Kodit Penal, ku një ditë paraburgimi është barabartë me një ditë e gjysëm burgim. Një tjetër shkelje që evidentohet në relacion është edhe ajo që ka të bëjë me kufizimin e të drejtës së trashëgimisë për të dënuarit vetëm në shkallën e parë të trashëgimtarëve. Ky përcaktim evidentohet si në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kodin penal ku parashikohet e drejta e barazisë së shtetasve. Kështu, në materialin që shoqëron kërkesën në fjalë, theksohet se ky është një vendim i padrejtë pasi vellezërit, motrat dhe familjarët e tjerë kanë të drejtën e përfitimit të dëmshpërblimit të të afërmit të tyre për shkak se edhe ata kanë sakrifikuar ose kanë qenë penalizuar në një mënyrë ose në një tjetër për të njëjtat shkaqe. Duke qëndruar tek çështja e masës së dëmshpërblimit, ish të denuarit theksojnë se përcaktimi për ta kryer këtë proces brenda tetë vjetëve është i papranueshëm, pasi është shumë i gjatë dhe shumë prej ish të dënuarve nuk do ta gëzojnë dot atë për shkak të moshës dhe vuajtjeve nëpër burgje. Nëpërmjet kësaj kërkese kjo kategori shoqërore e përfaqsuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë, denoncon si të papranueshëm edhe përjashtimin nga e drejta për të përfituar dëmshpërblim të të gjithë atyre të dënuarve dhe të internuarve politikë, dokumentet e të cilëve nuk gjenden nëpër organet shtetërore. Gjithashtu ata kundërshtojnë edhe nenin 6 të ligjit, nëpërmjet të cilit përcaktohet zbritja nga ama e dëmshpërblimit të të gjitha bonuseve që kjo kategori ka marrë në vitet e mëparshme. “Duhet t’iu kujtojmë ish-komunistëve të konvertuar në demokrat, të cilët eventualisht mund të jenë kamufluar në Ministrinë e Financave e të Drejtësisë se në Tiranë dhe në shumë qytete të Shqipërisë gjenden shumë pallate të ndërtuara nga të denuarit politikë.

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, shprehet se ligji është i pazbatueshëm

Ndregjoni: “Qeveria ka bllokuar procesin me formularët”

Pavarësisht se ligji ka gati një vit që ka hyrë në fuqi, ai nuk ka arritur të japë asnjë efekt konkret në favor të ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë gjatë regjimit komunist. Shkak janë bërë procedurat e stërzgjatura që parashikon ky ligj për aplikimin e të gjithë individëve që kërkojnë të përfitojnë nga ky dëmshpërblim. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës për Integrimin i të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni, ka deklaruar dje për “Shekulli-n” se e gjithë propaganda dhe deklaratat e vazhdueshme të qeverisë për rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e kësaj kategorie kanë rrezultar të jenë vetëm demagogji. Sipas tij, megjithëse ligji ka muaj të tërë që ka hyrë në fuqi asnjë ish i dënuar politikë nuk ka mundur të marrë qoftë edhe një qindarkë. “Absolutisht nuk është zbatuar në asnjë nen të tij. Deri më tani nuk kanë dhënë asnjë gjë për të përndjekurit politik, pavarësisht se flitet herë pas here për planifikimin e një sasie financiare për këtë proces. Parashikohet, ështëfjala për 2009, por unë jam mosbesues ndaj këtij veprimi se i njoh mënyrat burokratike që përdoren”, - tha Ndergjoni. Megjithëse e konsideron ligjin “Për dëmshpërbimin e ish të denuarve politikë të rregjimit komunist”, si antikushtetues, Ndregjoni thekson se procesi është futur në një rrugë pa krye për shkak të vonesave që krijohen nga plotësimi i dokumentacionit që duhet të paraqesë çdo individ që kërkon dëmshpërblim. “Akoma po merren me ca formularë si në vitin 1946. Tani pas kaq kohësh ne po përballemi me një formular të tillë për të treguar a kemi përfituar ne nga ato shpërblimet e qeverive demokratike pas viteve ‘90. Çështja e formularëve është një turp”, - tha më tej Ndregjoni. Nga ana tjetër ai ka denoncuar antikushtetueshmërinë e këtij ligji, i cili bën përjashtimin e nga e drejta e dëmshpërblimit të të gjithë atyre të pushkatuarve pa gjyq. Sipas Ndregjonit kjo është absurde pasi përjashton më shumë se një të katërtën e të pushkatuarve gjatë regjimit komunist. “Dëmshpërblimi ka përjashtuar mbi treçerek të të përndjekurve politikë dhe kanë lënë vetëm një çerek të tyre për shpërblim, çka ka bërë që të shkelet kushtetuta e këtij vendi”, - shtoi më tej Ndregjoni. 

Ligji, fatura financiare 417 milionë dollarë

Ligji “Për dëmshpërbimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist” i miratuar më 12 nëntor të 2007 tenton të rehabilitojë financiarisht të gjithë ata individë dhe familjarë të tyre që kanë qenë viktima të regjimit komunist. Sipas nenit 4 të projektligjit “Për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë”, koha e dëmshpërblimit do të fillojë të njihet që prej dhjetorit të vitit 1944, ndërsa ish të përndjekurit kanë kërkuar që kjo të nisë që prej gushtit të vitit 1943. Për këtë, përfaqësuesit e shoqatave pretendojnë se nga gushti i 1943 deri në nëntor të 1944 janë pushkatuar pa gjyq rreth 4 000 vetë, që sipas tyre, duhet të marrin dëmshpërblim. Ndërkaq sipas nenit 6 të këtij ligji, një sërë kategorish të ish të përndjekurve politikë nuk do të marrin dëmshpërblim. Në këtë kategori hyjnë të gjithë ata që kanë punuar në Sigurimin e Shtetit, anëtarët e qeverisë etj. Sipas ligjit masa e dëmshpërblimit për çdo të dënuar politik për çdo ditë vuajtje në burg apo në Hetuesi a Spital Psikiatrik është 2 mijë lekë. Për të dënuarit me internim në kamp me tela me gjemba, deri në vitin 1954 kjo masë është përcaktuar në 1 mijë lekë në ditë. Kurse për familjarët e viktimave të ekzekutuara, për çdo viktimë dëmshpërblimi është përcaktuar i barabartë me 8 vite burg. Me këto përcaktime ligjore qeveria ka deklaruar më parë se fatura financiare e këtij projektligji është 417 milionë dollarë. Ndërkohë që qeveria ka premtuar se do të vërë në dispozicion të dëmshperblimit të persekutuarve politikë afersisht nga 10 milionë dollarë në vit gjatë periudhës 2009-2011, një shifër kjo shumë e vogël për të arritur që shteti të dëmshpërblejë ish-të denuarit politikë brenda tetë viteve. Fondet për dëmshpërblimin e të persekutuarve janë përcaktuar që këtë vit në nivelin e 10 milionë dollarëve, por deri më tani ky fond nuk është përdorur duke rrezikuar që të digjet. Në bazë të ligjit të miratuar në Kuvend, fondi çelet vetëm nga Ministria e Financave, pasi kjo e fundit të ketë marrë në dorëzim kopjen e dosjeve individuale të ish-të dënuarve politikë që përfitojnë dëmshperblim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›